"Do mbrojmë nipërit pensionistë" Meta i përgjigjet Kuvendit me lapsusin e deputetit Jenisheri

Ndërkohë që Kuvendi tashmë e ka shkarkuar si president, Ilir Meta ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Meta ka postuar një lapsus të deputetit Selami Jenisheri i cili duke folur në Kuvend tha se "Do iu dalim zot, nipërve dhe mbesave tona pensionist, të cilët iu është mohuar e drejta e votimit."

"Të dashur miq, ju uroj një pasdite të qetë, relaksuese dhe të qeshur duke ju përshëndetur të gjithëve me këtë thënie frymëzuese!" - shkruan Meta.

Kuvendi ka shkarkuar me 104 vota pro Presidentin Ilir Meta. Ndërkohë kundër shkarkimit të tij, kanë votuar 7 deputetë dhe 3 abstenim.

Në Kuvend nuk ishin të pranishëm Ministrja Olta Xhaçka, Fidel Ylli, Korab Lita, Rudina Hajdari Amra Borova dhe Agron Kapllanaj. 

Vendimi do i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, të cilës i mbetet të thotë fjalën e fundit për këtë kërkesë.