Fushë Krujë, vatra e gripit të shpendëve/ Fermeri: Më kanë ngordhur 20 pula këtë vit

Një ditë pas konfirmimit të Ministrisë së Bujqësisë për praninë e gripit të shpendëve në Shqipëri ora News, ka udhëtuar drejt fshatit Halil në Fushë Krujë, në njërën nga vatrat e infeksionit.

Një prej fermerëve thotë se këtë vit shpendët e tij nuk janë prekur ende nga gripi ndryshe nga vitin e kaluar, ku dhjetëra pula i ngordhën.

"Sivjet nuk ka rënë ende sëmundja e pulave, vjet po, i qiti fare."

Një tjetër banor i fshatit thotë se të paktën 20 pula i kanë ngordhur këtë vit, ndërsa më pas ato nuk janë groposur por janë hedhur në përrua.

"Më kanë ngordhur 20 pula këtë vit. Veterineri nuk ka ardhur, pulat që ngordhën i hodha në përrua."

Fermerët e zonës, thonë se po ngordhin vetëm shpendët e pavaksinuar.

"Pulat kanë ngordhur në përgjithësi. Rrallë ka ngelur pulë pa ngordhur, janë ato që janë vaksinuar."

Ndërkohë nga Lushnja Zëvendësministri i Bujqësisë Thanas Veliu ka thënë se situata është e gjitha nën kontroll dhe nuk ka nevojë për panik.

"Mendoj dhe jam plotësisht i sigurt, se situata është nën kontroll dhe se janë marrë të gjitha masat."

Ministria e Bujqësisë: Fermerët të raportojnë çdo rast të dyshuar

Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë, Tana Kika, thotë se situata është në kontroll. Ajo sqaron se virusin në Shqipëri e kanë sjellë shpendët migratorë.

Kika gjithashtu thotë se rreziku i kalimit të virusit nga shpendët te njerëzit është i një niveli minimal, megjithatë kërkon nga qytetarët të tregohen të kujdesshëm me konsumimin e këtyre produkteve. 

Për të bërë të mundur ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit, Ministria e Bujqësisë kërkon edhe angazhimin e fermerëve, për të raportuar çdo rast të dyshimtë.

Duket se rrezikun e përhapjes së këtij virusi mes shpendëve, Ministria e ka evidentuar që prej muajit janar kur nisi edhe kufizimi i importit të shpendëve të gjalla apo edhe të therura.