Rama dhe Kurti takohen të enjten në Tiranë, analistët: Raportet personale po ndikojnë te bashkëpunimi shtetëror

Liderët 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor takohen të enjten në Tiranë për samitin e përbashkët që ka në fokus bashkëpunimin.

Kjo do të jetë edhe vizita e parë zyrtare e Albin Kurtit në Shqipëri, pas marrjes së mandatit të dytë, pasi gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit prezenca e tij ishte në funksion kryetari partie.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, thotë se përkundër të gjithave, dy qeveritë shqiptare kanë nisma e punë konkrete për të përmbushur.

“Pra ne tashmë veçse kemi nisma konkrete të bashkëpunimit me Shqipërinë. Ajo çështja e zgjedhjeve konsideroj se është një çështje tjetër dhe nuk do ta pengojë në asnjë mënyrë bashkëpunimin që ne do ta kemi me Qeverinë e Shqipërisë dhe iniciativat që ne mendojmë t’i marrim për thellimin e bashkëpunimit. Unë mendoj që si kundërpërgjigje ndaj këtyre deklaratave kemi nisma konkrete e punë të përbashkëta," tha Fejza.

Por drejtuesi i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi, i konsideron marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë në pikën më të ulët.

Sipas tij raportet e ngrira mes kryeministrave Rama e Kurti nuk po e ndihmojnë bashkëpunimin institucional.

sinkron Krasniqi: Marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri janë në pikën e tyre më të ulët

“Ne do të duhej të kishim bashkëpunim institucional të qëndrueshëm, pavarësisht se kush janë personat që drejtojnë në momente të caktuara. Praktikisht marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë janë në pikën e tyre më të ulët. Ka një mosbesim të theksuar dhe ka sulme personale të politikanëve ndaj njëri-tjetrit. Në Tiranë dhe në Prishtinë ka pasur artikuj që denigrojnë figurat reciproke politike, përfshirë edhe dy kryeministrat. Ndërkohë që raporti i dy kryeministrave, siç u pa edhe në takimin e fundit informal është më shumë raport personal se raport mes dy qeverive dhe institucioneve dhe nëse ka gjë për të cilat ne do të duhej të reflektonim, përfshirë kabinetin e ri në Tiranë dhe kabinetin e ri në Prishtinë është e para për të hequr dorë nga aktet simbolike, siç ka bërë Tirana me deklarata periodike për Kosovën apo me emërimin e politikanëve të Kosovës në Shqipëri për periudha të caktuara, apo siç ka bërë Prishtina me vendimin e Kurtit për të marrë pjesë si votues në zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe për të pasur kandidatët e vetë kundër Ramës," tha Krasniqi.

Ka shumë hapësira ndërveprimi në disa sfera mes Shqipërisë e Kosovës, ndaj analisti politik, Imer Mushkolaj, shprehet se bashkëpunimi ndërshtetëror duhet t'i kapërcejë raportet personal mes udhëheqësve.

“Duhet thënë po ashtu se Kosovën dhe Shqipërinë nuk i pengon asgjë që të krijojnë raporte sa më të mira në të gjitha sferat. Domethënë nuk kanë kurrfarë pengese, por po duket se inatet personale ose inatet që kanë të bëjnë me inatet partiake politike të njërit ose liderit tjetër që është në pushtet e kanë sjellë situatën që sërish të flasim për përmirësim të raporteve mes dy vendeve. Ne e dimë se viteve të kaluara disa herë janë takuar qeveritë e dyja vendeve, ku janë nënshkruar një numër jashtëzakonisht i madh i marrëveshjeve, por është çështje tjetër sa këto marrëveshje janë zbatuar dhe tash sërish nevojiten takim tjetër për të parë se deri ku kanë shkuar ato marrëveshje dhe a janë zbatuar ose jo. Tash në pushtet, në Shqipëri është Rama e në Kosovë është Kurti.

Natyrisht se nëse flasim me logjikën e zotit Kurti kur ka qenë në opozitë, ai nuk do të duhej të takohej e të bashkëpunojë me Ramën si kryeministër i Shqipërisë, por z.Kurti tash është në cilësinë e kryeministrit dhe përtej emrave të përveçëm është e rëndësishme që dy vendet të bashkëpunojnë si shtete të pavarura njëra me tjetrën, respektivisht si shtete shumë të afërta. Kushtimisht çdo përpjekje me nxjerr këtë bashkëpunim ndërshtetëror në kontekst të ndonjë raporti personal është e dëmshme dhe do t’i dëmtojë më shumë raportet mes dy vendeve," tha Mushkolaj.

Samiti i sivjetëm në Tiranë do të drejtohet nga kryeministri Rama dhe Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhei, duke pasuar takimin e nëntorit të kaluar të mbajtur në Bullgari.