Shpendët shtegtarë sollën gripin, veterinerët apelojnë për kujdes me konsumimin e mishit
Ministria e Bujqësisë dyshon se gripi i shpendëve erdhi në Shqipëri nga shpendët shtegtarë. Ekspertë të kësaj ministrie thonë se janë vetëm tre vatra ku ka pasur raste të konfirmuara por në to është bërë dezinfektimi dhe izolimi i rasteve. Ekspertët kërkojnë kujdes edhe nga konsumatorët e këtyre produkteve.
Shpendët migratorë dyshohet se kanë sjellë në Shqipëri virusin e gripit të konfirmuar tashmë në të paktën tri vatra.
Ministria e Bujqësisë tha se janë vetëm 3 oborre banesash ku janë evidentuar këto raste.
"Është virus që përhapet përmes shpendëve migratorë, atyre të egër, kryesisht shpendëve ujorë. Janë shpendët e oborreve ata që kanë mundësinë më të madhe të takohen ekskrementët, sekrecionet e këtyre shepndëve të egër migratorë."
Drejtoresha e Autoritet Kombëtar të Veterinarisë, Tana Kika, thotë se për këtë arsye është kufizuar edhe importi i shpendëve dhe nënprodukteve të tyre nga vendet ku virusi është përhapur.
"Janë një sërë rajonesh të disa shteteve, nuk mjafton vetëm kufizimi i pikave kufitare ose hyrjes së shpendëve të gjallë por duke qenë se është një sëmundje vjen nga shpendët migratorë patjetër që merren masat në rang vendi për monitorimin e situatës."
Por infektimi i qytetarëve prej shpendëve mund të ndalohet duke bërë kujdes në përzgjedhjen dhe gatimin e produkteve të mishit apo nënprodukteve të tjera.
"Ka një risk minimal, kryesisht janë manipulimet e gabuara me shpendët e ngordhur, prekja, mosruajtja e higjienës vetjake.Të gjitha produktet dhe nënproduktet me origjinë nga shpendët janë të sigurta nëse trajtohen në temperatura të larta në kuzhinat tona familjare."
Nga fermerët kërkohet që të njoftojnë veterinerët e zonës për të bërë evidentimin e rasteve të dyshuara dhe kufizimin e përhapjes së këtij virusi.
"Kur shohim një shpend që lëngon, ka një shenjë klinike apo prezencë të lëngimit të statusit shëndetësor menjëherë njoftohet shërbimi veterinar."
Prej janarit të këtij viti Ministria e Bujqësisë ka ndaluar importin e shpendëve nga 17 vende të ndryshme, përshirë së fundmi edhe Kosovën, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

