"Tek vila hyjnë e dalin ca që presin dekrete në shtator për ministër" batuta e Murrizit që bëri të qeshin deputetët në sallë
Nga foltorja e Kuvendit, Myslym Murrizi deputeti i Lëvizjes Demokratike të Shqipërisë përshëndeti urdhrin e Biden.
Një urdhër ekzekutiv i Presidentit Joe Biden për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, përfshin tashmë edhe Shqipërinë dhe zgjeron objektin e saj, duke përfshirë personat që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.
Murrizi tha se shkarkimi i Metës nga socialistët do të jetë “limonadë”përpara ngjarjeve të rëndësishme që do të pasojnë.
”Nuk di pse kanë frikë të thonë që presidenti ka dalë nga binarët. Kur e voton Ruçi që e ka pasur 14 vjet në parti; Majko, zv/ kryeministër, Musai shok partie, Spartak Braho edhe tek LSI, unë çfarë pishmani kam? Nuk më bashkon asgjë me të.
A e shkarkoni ju? Pushka top tju bëhet. Jam kënaqur me urdhrin e Biden, shpresoj ta bëjë dhe BE. Akti i këtij kuvendi do të jetë limonadë.
Kur ti shikosh si zogj korbi një nga një tek Kraja. Kur ti shikosh të zhveshur nga hotelet e motelet që kanë në New York, Londër.. e ishalla i shohim dhe me një kosë bari në dorë të korrin dy javë jonxhe se nuk u bë çameti.
Nuk jam dakord për burg se kanë kosto të madhe. Sa të këputet kaçolli që lidh tepsitë, eh si do ikin kokrrat nëpër shalë. (Deputetet qeshin ne salle)
Xhoe Biden në një anë, drejtësia e re këtej, Zoti ju shtoftë inatin mes njëri tjetrin. Meta nuk do të jetë i fundit, do të vazhdojnë të tjerë edhe pse kanë kapërcyer ylberin. Uroj që të bëhet më e mira për shqiptarët, hall i madh se ngel një pa punë.
Janë 2 mln shqiptarë që morën arratinë për hatër të këtyre, dhe një nga këta është ky. Cfarë aspiron një njeri në politikë e ka arritur. Deputet, ministër, zv/ministër, kryetar kuvendi e president. Askush tjetër nuk ka arritur çfarë ka arritur ky, as Berisha, as Rama, as Nano të cilin e nxorrët në reformë. Dhëntë Zoti dhe e keni serioizisht se jam skeptik në dredhjen e më shumë kolegëve të tij.
Ndër të tjera Murrizi la të kuptojë dhe për prapaskena për emërimin e ministrave të kabinetit Rama III i cili pritet të shkojë për dekret tek presidenti në muajin shtator.
“Shoh këto ditë se unë për dreq më ka qëllu shtëpia përballë vilës, që hyjnë e dalin ca që presin dekrete ca në shtator për ministër edhe i thonë në këmbim të dekretit si I bëhet për votën. Eh sa shumë mendojnë se do të jenë të dekretuar mor Taulant. Këta aspiruesit e dekretit imagjinar për të ardhur në kat të dytë në shtator a do ta votojnë apo jo? Por pallavrat se ky parlament është legjitim apo ka moral apo jo le ta gjykojnë shqiptarët pas shtatorit kur ngjarje të tjera më të mëdha se kjo limonada ka për të ndodhur”
Kuvendi voton sot për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.