Ju flet Moska-Si dhe kur do të krijohet e djathta politike fituese në Shqipëri
E djathta, një nga dy rrymat kryesore të mendimit në skenën politike shqiptare, ishte në fokus të analizës së emisionit "Ju flet Moska" nga Kastriot Myftaraj në Rtv Ora.
Myftaraj: Në politikë veprojnë disa ligje të ngjashme, të krahasueshme me ligjet që veprojnë në natyrë. Përfytyroni sikur të jemi në gjendje të marrim akujt e Grenlandës dhe Polit të Veriut dhe ti vendosim në shkretëtirën e Saharasë.
Do të rrinë sa do të rrinë dhe do të shkrijnë, nuk do të formojnë dot një kontinent të akullt, do të shkrijnë për një periudhë. Ose e kundërta, sikur të marrim rërën e Saharasë dhe ta vendosim në Antarktidë apo Grenlandë nuk do të kemi një shkretëtirë as në Antarktidë dhe as Grenlandë.
Natyra ka ligjet e veta por edhe politika ka ligjet e veta. Nëse krijohen forca, lëvizje politike të panatyrshme do të jetojnë për një periudhë por nuk do ta kenë jetën e gjatë. E njëjta gjë ndodh me të djathtën në Shqipëri që u krijuar artificialisht në 1990. E njëjta gjë dhe pse në një periudhë më të gjatë do të ndodhë me të majtën. Të dyja janë krijuar artificialisht në historinë e shtetit shqiptar.