Bullgaria e prerë, s'do ndërhyrje as këshilla nga jashtë për zgjidhjen e konfliktit me Maqedoninë e Veriut
Bullgaria e ka bërë të qartë se nuk do ndërhyrje nga jashtë për të zgjidhur problemet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut.
Shefi i qeverisë bullgare, Stefan Yanev, i mëshoi rrugës së dialogut por tha se kjo çësdhtje duhet të zgjidhet vetëm mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
I vetëdijshëm se me veton ndaj Maqedonisë po bëhet pengesë edhe për rrugën europiane të Shqipërisë, ai tha se shoqëria shqiptare nuk duhet ta shohë Bullgarinë si pengesë dhe se do të bëjnë më shumë për ta mbrojtur edhe përballë partnerëve europianë qëndrimin e tyre.
Yanev: Duke folur për perspektivën europiane të Shqipërisë duhet të përmendim dhe faktin që pozita e Bullgarisë sa i përket Maqedonisë së Veriut në njëfarë shkalle është dhe pengesë para perspektivës së Shqipërisë që të ecë më shpejt. Shoqëritë të mos mendojnë se Bullgaria po bën diçka që pengon. Rrugën europiane si për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ne e mbështesim por pozita e parlamentit bullgar sa i përket Maqedonisë së Veriut është kjo pozitë që Bullgaria e mbron në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Çështjet tona të dyanshme që kemi për ti zgjidhur me Maqedoninë e Veriut mund të zgjidhen vetëm në bazë dypalëshe. Ndërhyrja e jashtme dhe këshilla nuk është e mirë sepse diskutimi është midis dy vendeve dhe secili prej nesh duhet të gjejnë rrugën e dialogut dhe konstruktivizimit.
Ajo që është deklaruar për perspektivën europiane të konfirmohet me vepra reale. Kjo pozitë duhet tu shpjegohet mirë partnerëve europiane dhe synimi ynë është që problemet e dyanshme të mos lejohen në familjen e shteteve europianëve dhe të mos jetë një precedent ku problemet europiane zgjidhen në fushën diplomatike europiane.
Deklaratat kryeministri bullgar i bëri në konferencën për shtyp me homologun shqiptar Edi Rama pas takimit dypalësh.

Vetë kryeministri Rama tha se nuk është këtu për të mbajtur anë në lidhje me Bullgarinë apo Maqedoninë e Veriut, por theksoi se dy vendet, dy miqtë e Shqipërisë duhet të ulën të dialogojnë dhe ta zgjidhin këtë çështje me njëra-tjetrën.
Rama nënvizoi se Shqipëria ndodhet në këtë mes në mënyrë të pavullnetshme, por që ndikon në integrimin e saj në BE.
Rama: Do të thoja që është shumë e rëndësishme, absolutisht, për ne si Shqipëri ta shohim këtë çështje të zgjidhur. Është mjaft e ndjeshme këtu, edhe në vendin tonë vëlla të Maqedonisë së Veriut. Por ndërkohë jemi të përfshirë në këtë gjë në mënyrë të pavllnetshme, Shqipëria e Maqedonia po presin vendimin e Këshillit Europian për çeljen formalisht të negociatave. Siç janë gjërat, besoj fort se mes dy vendeve ka mundësi të mjaftueshme për të intensifikuar dialogun për të zgjidhur bashkë, ka kaq shumë gjëra që i bëjnë të dyja vendet e dy popujt në Bullgari e Maqedoni, kaq popuj të afërt, për një të ardhme të përbashkët.
E pavarësisht sa të vështira mund të jenë këto çështje, kur ka dëshirë ka zgjidhje. Me vullnet të mirë mund të tejkalohet. Dua të theksoj se Shqipëria është duke e respektuar këtë, aktualisht do të vazhdojmë të ecim së bashku me Maqedoninë e Veriut por shtrohet pyetja sa kohë kërkon e sa gjatë mund të presim.Siç e thashë aktualisht jemi në rregull edhe pse është e qartë që kemi përmbushur kushtet.
Asgjë s’na ndan nga konferenca e parë ndërqeveritare. Do të respektojmë siç thashë në këtë moment të dy miqtë e vendet mike që duhet ta zgjidhin këtë. Sigurisht besojmë fort, besoj që mbi të gjitha duhet zgjidhur mes dy vendeve, mes dy popujve e dy udhëheqësve. Të tjerët mund të ndihmojnë, por nuk besoj vërtet që të tjerët mund të bëjnë apo zëvendësojnë atë çka dy palët supozojnë të bëjnë e të bëjnë. Shpresoj të ndodhë shpejt.
Rama u shpreh i gatshëm për të ndihmuar në dialog, por tha se në fund duhet të jenë vetë dy vendet për të zgjidhur situatën.
Rama: Qëndrimi ynë si Shqipëri është qëndrim për të cilin askush nuk duhet të na ketë zili. Jemi mes dy miqve që s’kanë të bëjnë me ne. Por gjërat janë këto që janë dhe procesi është i ndërtuar në një mënyrë të tillë që duhet respektuar ashtu siç është. Nuk jemi këtu për të mbajtur anë. Jemi thjesht duke shpresuar dhe mbështetur faktin që të dyja të flasin dhe ta zgjidhin mes tyre. Nëse është nevoja, ne jemi gati të ndihmojmë, por ndihma jona është thjesht të themi ju lutemi flisni, komunikoni, sepse këto çështje mund të bëhen më të ndërlikuara. Sa më shumë të flasësh për ta aq më shumë ndërlikohen nëse nuk ka vullnet të përbashkët për ta zgjidhur dhe për të shtrënguar duart, jo nëpërmjet palëve të treta. BE po bën një purine të jashtëzakonshme, por në fund i takon bullgarëve dhe Maqedonisë se Veriut që të dalin bashkë nga kjo situatë.
Rama foli edhe për Kosovën, duke i bërë thirrje Serbisë ta njohë sa më parë.
Rama: Duhet ta kishte njohur Kosovën shumë kohë më parë, cdo ditë që kalon është një ditë më tepër që vonon atë cka është gjëja e duhur për tu bërë, por shpresoj që nëpërmjet dialogut dhe interesave njohja e ndërsjellë do të vijë më herët sesa vonë.