Në mbrojtje të etikës dhe dinjitetit, gazetarët e Diasporës Shqiptare themelojnë unionin e tyre

Gazetarë profesionistë të Diasporës Shqiptare kanë themeluar Unionin e tyre me qëllim mbrojtjen e etikës së profesionit e të drejtave kushtetuese për ushtrimin e tij në shërbim të informimit të publikut.

Për grupin nismëtarë, themelimi i UGPSHD erdhi si një domosdoshmëri historike e medies shqiptare me qasjen e një modeli profesionistësh të pavarur, të lirë e të pa kontrolluar nga politika.

Promovimi i të drejtave të ushtrimit të profesionit, mbrojtja e dinjitetit dhe etikës së punës së gazetarit me një kulturë demokratike kundër çdo forme arbitrariteti, janë disa nga objektivat parësore të këtij Unioni.

Gazetarët shqiptarë në Diasporë janë një urë lidhëse e rëndësishme mes tokës amtare e vendeve ku ata jetojnë e punojnë, e në këtë Union do të ftohen të bashkohen profesionistë të vërtetë të fushës së medias që nuk janë palë e interesave të grupeve të caktuara politike e oligarkike.

Historia shqiptare na mëson se në momente më kritike për kombin, shqiptarët e Diasporës janë bashkuar në klube patriotike e media të pavarura me qëllim të vetëm interesat kombëtare, e Unioni i Gazetarëve Profesionistë Shqiptarë të Diasporës, synon të jetë një motiv faktorizues i tyre.

Unioni i Gazetarëve, Profesionistë Shqiptarë të Diasporës do të krijoj së shpejti organin e tij botues online e do të jetë zëri i së vërtetës e shprehja e mendimit të lirë të analizës politike, publicistike e intelektuale shqiptare. Promovimi i kulturës e vlerave shqiptare do të frymëzoj punën e anëtarëve të këtij Unioni. 

Selia e këtij Unioni do të jetë në Zagreb të Kroacisë me qëllimin e afërt të krijimit të degëve të saj në të gjithë botën si dhe të urave të komunikimit me Unionet e Gazetarëve Profesionistë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni si dhe në vendet ku ata ushtrojnë këtë profesion.

Në mbledhjen e parë të themelimit të Unionit të Gazetarëve, Profesionistë Shqiptarë të Diasporës u zgjodhën organet drejtuese.

Shenide Bilalli; Kryetare, gazetare, regjisore, redaktore botuese, Kroaci

Artan Kutra; Zvkryetar, gazetar, Francë;

Sekretare e Përgjithshme;  Alba Kepi, gazetare, Romë.

Zëdhënëse; Rafaela Prifti, redaktore SHBA

Antarë të bordit: Shenida Bilalli, Elida Buçpapaj, botuese Zvicër, Arben Kallamata, shkrimtar, gazetar Kanada, Jeta Dedja, botuese Kanada, Robert Papa, gazetar SHBA.

Bordi mbikëqyrës; Taulant Dedja, botues Kanada, Ardian Murraj, gazetar SHBA, Adriatik Riza Dosti, gazetar SHBA.

Kryetari i nderit Skënder Buçpapaj, botues Zvicër.

Likujdues Kujtim Morina Kroaci.