"Dialogu me Rusinë s'është dobësi", sekretari i përgjithshëm i NATO-s pritet në Uashington
Kina dhe Rusia kanë një rol të padiskutueshëm në arenën globale, ndaj edhe NATO-ja do duhet t'i trajtojë ato me dialog e seriozitet.
Çështjet e rajonit aziatik, stabiliteti në Europë dhe tërheqja e trupave ndërkombëtare nga Afganistani u diskutuan të hënën mes sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe sekretarit amerikan për Mbrojtjen, Loid Ostin.
Stoltenberg vizitoi edhe Shtëpinë e Bardhë ku presidenti Joe Biden po planifikon samitin e javës së ardhshme me homologun rus, Putin.
"Dialogu me Rusinë nuk është shenjë dobësie. Ne jemi të fortë dhe të bashkuar, dhe mund të bisedojmë me Rusinë. Duhet të bisedojmë me të sepse qëllimi është marrëdhënia më e mirë, edhe pse mund të mos besojmë te ajo. Kontrolli i armatimeve, transparenca, reduktimi i rreziqeve, janë të gjitha çështje të rëndësishme," tha Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Shefi i NATO-s thotë se bota e tanishme është bërë e paparashikueshme dhe sfidat që hasin aleatët evoluojnë gjithë kohën: Rusia po sillet agresivisht me fqinjët si Ukraina, siguria e Europës është në interesin e SHBA-së, dhe në anën tjetër qëndron një superfuqi si Kina, e cila mbetet rrezik i patrajtuar, sipas Stoltenbergut.
"Kina shumë shpejt ka për të pasur ekonominë më të madhe në botë; ka buxhetin e dytë më të madh për mbrojtjen, flotën detare më të madhe; po investon fort në aftësitë e avancuara ushtarake dhe nuk i ndan vlerat tona. Këtë e shohim kur shtyp protestat demokratike në Hong-Kong, se si sillet me minoritetet, ujgurët, dhe si i kanosen fqinjëve si Tajvani," tha Jens Stoltenberg.
Takimet e Stoltenbegut në Uashington shërbyen për të koordinuar axhendën e NATO-s përpara se presidenti amerikan të nisë turin e tij të parë jashtë vendit në postin e kryeshtetarit.
Bajdeni e nis të mërkurën vizitën në Mbretërinë e Bashkuar për takimet në kuadër të G7-ës; në fundjavë udhëton drejt Brukselit për në selinë e NATO-s dhe më 16 qershor do marrë pjesë në samitin SHBA-Rusi në Gjenevë të Zvicrës.
