Meksikë, partia në pushtet kryeson në zgjedhje
Koalicioni qeverisës i Meksikës ka mundur të ruajë shumicën në zgjedhjet e mesmandatit të mbajtura të dielën,
por rrezikon dy të tretat e mandateve legjislative që i duhen për reformat.
Presidenti, Andres Manuel Lopez Obrador, kryeson organin ekzekutiv të Meksikës me partinë e tij "Morena".
Ende pa përfunduar numërimi, rezultatet e hershme i japin 67-vjeçarit dhe aleatëve 265 deri 292 vende nga 500 që ka Dhoma e Ulët e Kongresit.
Vetë partia e presidentit, ndërkaq, mendohet se është dobësuar nga 253 në rreth 200 mandate.
Lopez Obrador ka premtuar atë që e quan epokën e "Transformimit të Katërt" të vendit: përkrahje për komunitetet rurale, industrinë e ndërtimit, sektorin energjetik, pensione të larta dhe mjekësi falas dhe arsimim për të gjithë.
Por opozita e ka kritikuar qeverinë si tejet të majtë, se e ka keqmenaxhuar pandeminë, po përpiqet të kapë gjyqësorin dhe nuk i ka luftuar sa duhet kartelet e drogës.
Këto të fundit ndërhynë në fushatën e sivjetme zgjedhore duke shkaktuar si asnjëherë incidente dhe ngjarje tragjike, siç ndodhi edhe në ditën e zgjedhjeve kur u qëlluan për vdekje pesë nëpunës të një qendre zgjedhore, një qendër tjetër votimi u zbraz pas hedhjes së një granate ndërsa në qytetin kufitar të Tihuanës një person hodhi kokën e gjymtuar të një njeriu dhe pjesë të trupit në perimetrin e qendrës.
Mbi 93 milionë meksikanëve me të drejtë vote bënë të dielën zgjedhjen e tyre për 500 vendet e Dhomës së Deputetëve, për 15 guvernatorët e rajoneve dhe për mijëra postet në organet lokale.
Policia gjen trupin e pajetë të foshnjes së zhdukur prej 9 muajsh
7 Qershor, 14:43

