Spanja hap kufijtë për turistët e vaksinuar
Spanja u hapi të hënën kufijtë turistëve nga e gjithë bota që janë vaksinuar kundër Covid-19.
Çdokush mund të udhëtojë në destinacionin e rëndësishëm turistik të Europës, nëse ka bërë më parë vaksinat e llojeve të njohura nga Bashkimi Europian ose nëse paraqit një test të thjeshtë molekular ndaj virusit të ri korona.
Sektori i turizmit spanjoll shpreson që ky vit të jetë më i suksesshëm.
20 avionë të ndryshëm me origjinë europiane zbritën të hënën në aeroportin e Malagës, dhe në porte zbarkuan edhe kroçerat e para.
Rajonet jugore të Kosta Del Solit dhe Ishujt Kanarie kanë rihapur hotelet, restorantet dhe linjat që mbyllën në kulmin e pandemisë.
"Disa nga hotelet qëndrojnë hapur prej javësh, tashmë, ata më të rëndësishmit. Në qytetin e Teromolinos këtu në Andaluzi presim që t'i hapim të gjitha gjatë qershorit."
Britania, Franca dhe Gjermania janë tregjet kryesore me turistë për Spanjën, por ndërsa vendi këmbëngul se situata epidemiologjike është stabilizuar, shteti iberik mbetet në listën britanike të vendeve në rrezik dhe çdo udhëtar prej andej do duhet t'i nënshtrohet karantinës e të paguajë kostot e testit anti-covid gjatë kthimit.
Në 2020-ën, ekonomia spanjolle u tkurr me gati 11 për qind për shkak të goditjes që pandemia i shkaktoi industrisë vendëse të turizmit.
Deri në fund të vitit, qeveria ka shpallur objektivin për të pritur 45 milionë të huaj, por në prill vendin priti më pak se 2 milionë vizitorë.

