David Dushman, ushtari i fundit i mbijetuar i Aushvicit, vdes në moshën 98 vjeçare

David Dushman, ushtari i fundit i mbijetuar sovjetik, që u përfshi në çlirimin e Kampit famëkeq të Aushvicit, ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare. Komuniteti i Hebrenjve në Mynih dhe Bavari, konfirmoi të dielën se Dushman, I konsideruar “Hero I Aushvicit” vdiq në një spital në Mynih.

“Çdo dëshmitar i historisë që vdes, është humbje, por t’i themi lamtumirë David Dushmanit është dhimbje e veçantë”, ka thënë Charlotte Knobloch, ish-udhëheqëse e Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani.

Dushman, një ushtar i Ushtrisë së Kuqe, përdori tankun e tij sovjetik T-34 për të prishur gardhin elektrik të Aushvicit në Poloninë e pushtuar nga nazistët më 27 janar, 1945, duke ndihmuar në lirimin e të burgosurve në kampin e vdekjes. Kur kanë arritur forcat sovjetike, aty kanë qenë rreth 7,000 të burgosur të sëmurë dhe gati duke vdekur.

"Ne nuk dinim asgjë për Aushvicin," ka rrëfyer Dushamn për atë ditë në një intervistë në vitin 2015.

 “Por pashë skelete kudo. Njerëzit u tërhoqën nga kazermat dhe u ulën midis të vdekurve. Ishte e  tmerrshme! Ne u dhamë atyre të gjithë ushqimin tonë të konservuar dhe vazhduam të qëllonim fashistët, " citohet të jetë shprehur ai. 

Dushman ishte një nga 69 ushtarët në divizionin e tij që i mbijetuan luftës, por ai pësoi dëmtime serioze.

Nga 6 milion hebrenj të vrarë në Holokaust, më shumë se një milion u vranë në Aushvic-Birkenau, shumica në dhomat famëkeqe të gazit, në periudhën 1940-1945, së bashku me dhjetëra mijëra të tjerë, duke përfshirë homoseksualë, romë dhe të burgosur sovjetikë të luftës.