Zgjedhjet në Gjemani, kristiandemokratët marrin 37 % të votave, e djathta ekstreme gati 21%
Konservatorët e kancelares gjermane, Angela Merkel, arritën të dielën një fitore elektorale përtej parashikimeve, dhe e gjejnë veten si favoritë në zgjedhjet federale të shtatorit.
Me 37 % të votave, kristiandemokrati Rajner Hazelof triumfoi në landin e vogël lindor të Saksoni-Anhaltit, duke e përmirësuar rezultatin me 7 për qind nga zgjedhjet e 2016-ës.
Gara e së dielës ishte edhe një sprovë për kryetarin e ri të CDU-së, Armin Lashet, i cili do të ketë udhëheqjen e partisë e ndoshta të qeverisë me largimin e Merkelit nga politika.
"CDU-ja ka dalë forca politike kryesore. Kjo ishte fitorja më e madhe për ne që nga zgjedhjet rajonale në Nord-Rajn-Vestfali në 2017-ën," tha sekretari i përgjithshëm i konservatorëve.
Partia e ekstremit të djathtë, "Alternativa për Gjermaninë", ruajti vendin e dytë me gati 21 për qind të votave, duke treguar se Gjermania Lindore mbetet bastioni i saj.
"Ky është sukses i madh për Saksoni-Anhaltin, sidomos kur dihet që luftohemi nga të gjithë krahët, edhe nga antifashistët. Kundërshtarët tanë e degraduan fushatën elektorale."
Të Gjelbrit morën të dielën një rezultat modest, vetëm gati 6 për qind të votave, edhe pse parashikohet të jenë blloku më i madh politik në parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 26 shtatorit, ndërkohë që socialdemokratët pësuan një rënie të mëtejshme historike në fundjavë.
Katër sekrete për të qenë gjithmonë një çift i lumtur
7 Qershor, 09:20


