Raporti për Presidentin, veç shkarkimit kërkohet edhe hetimi nga SPAK për nxitje të dhunës dhe urrejtjes

Presidenti Ilir Meta mund të përballet me SPAK për dy vepra të rënda penale, thirrjet publike për veprime të dhunshme dhe thirrje për urrejtje nacionale.

Në raportin prej 100 faqesh të komisionit hetimor parlamentar që do të votohet seancën e 9 qershorit, propozohet jo vetëm shkarkimi i Ilir Metës nga posti i Presidentit, por kërkohet angazhimi i organeve hetimore për të nisur hetimet kryesisht ndaj Presidentit për nxirrje të dhunës dhe urrejtjes para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.

Raporti evidenton thirrjet e Metës për dhunë, roli i tij në përplasjen mes Bashkisë së Tiranës dhe FRD-së, mbrojtja nga ana e tij e strukturës paramilitare të PD pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, thënë këto në qëndrimet e tij në 19 emisione televizive, 9 deklarata për mediet, 45 postime në rrjetet sociale si dhe disa shkresa që u ka drejtuar institucioneve të pavarura në mënyrë të përsëritur.

Sipas raportit, në shumë nga daljet e veta publike, Meta ka zgjedhur të përdorë  dhunën  si mjet për zgjidhjen e problemeve përkundrejt mjeteve që ofron shteti i së drejtës.

Po sipas raportit të Komisionit Hetimor, thirrjet e Metës për dhunë kanë shqetësuar edhe përfaqësuesit e shteteve të huaja në vend, duke sjellë në vëmendje disa reagime të ambasadores amerikane Yuri Kim.

Për të shkarkuar Ilir Metën, socialistët do t’i kërkojnë shërbimin e fundit politik deputetëve të opozitës, pasi për këtë vullnetit politik të mazhorancës i nevojiten 94 vota.

 

Dokumenta bashkëngjitur