“Bashkia po helmon qentë”, aktivistët: Erion Veliaj vrasësi i kafshëve, shpërndan ushqim me helm
Aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të kafshëve akuzojnë Bashkinë Tiranë se po vret qentë endacakë duke shpërndarë ushqim të helmuar.
Si dëshmi kanë këto video që i kanë publikuar edhe në rrjetet sociale.
"Salçiçet me helm."
Të shtunën, së bashku me qentë e tyre aktivistët zhvilluan një marshim protestë pranë Liqenit Artificial të Tiranës nga ku i bën thirrje Kryetarit të Bashkisë të ndalojë vrasjen e kafshëve.
"Këtu në Tiranë, te "21 Dhjetori", tek Zogu i Zi, tek Kodra e Priftit, te Liqeni Artificial, që i kam edhe me video copat e sallamit me helm brenda. Më vjen shumë keq që në vitin 2021 një kryetar bashkie si Erion Veliaj vetëm të vrasë kafshët. Ndoshta të vjen keq se ta themi në sy, por ti po i vret kafshët."
"Për ne ai është abuzuesi me jetën e qenve, ai është përfituesi i fondeve që buxhetohen për qentë, ai është vrasësi i qenve."
Ata përsëritën thirrjen për mbylljen e spitalit të kafshëve në Kombinat teksa theksuan nevojën e hapjes së një qendre për strehimin e katërputroshëve të braktisur.
"Protestoj për gjithçka përsa i përket kafshëve të pambrojtura. Në Shqipëri jemi me miliona vite mbrapa."
"Të mbyllet "spitali i vdekjes." Bashkia të ulet në tavolinë me ne që të bisedojmë si mund ta zgjidhim më së miri."
"Ka shumë nevojë për strehë, ku është kjo strehë këtu te ne, pse nuk hapet, ku shkojnë fondet?"
Aktivistët thonë se paralelisht me denoncimet në institucionet e drejtësisë ndaj përfaqësuesve të Bashkisë do të vazhdojnë protestat për mbrojtjen e kafshëve.
