Mesazhi i Presidentit të PE-së: BE të mbajë premtimin për Ballkanin, vendet e rajonit të vijojnë reformat

Presidenti i Parlamentit Europian i bën thirrje liderëve të BE që të mbajnë premtimin për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. David Sassoli sjell në vëmendje të unionit se zgjerimi do të ndikojë pozitivisht në paqen dhe stabilitin e kontinentit, ndërsa nënvizon faktin se vendet e rajonin kanë ende punë për të bërë deri në anëtarësimin e plotë.

Pak ditë para se Brukseli të marrë vendim për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, presidenti i PE-së David Sassoli i bën thirrje krerëve të BE që ti japin dritën jeshile vendeve të Ballkanit Perendimor.

Sipas tij, hapja e negociatave dhe përshpejtimi i procesit do të ndikojë drejtpërdrejtë me paqen dhe sigurinë e rajonit.

"Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha si në rajon dhe në Evropë në tërësi, duke ndihmuar në stabilitetin, prosperitetin dhe paqen në këtë kontinent".

Kjo është vetëm faza e parë që sipas presidentit të PE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë të kenë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare, ndërsa përsa i përket anëtarësimit të plotë, sipas Sassolit rajoni ka ende shumë punë për të bërë.

"Në secilin prej këtyre shteteve ende ka nevojë që të përmbushen reformat, por BE-ja duhet të mbajë premtimet e dhëna dhe të njohë përparimin e këtyre shteteve".

Me 22 qershor krerët e BE-së duhet të vendosin me unanimitet nësë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë të kenë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare, pavarësisht se ende nuk është bërë i qartë qëndrimi i Bullgarisë ndaj fqinjit tonë.

Integrimi i rajonit në BE është parë edhe si një mënyrë për të frenuar influencën ruse dhe kineze në vendet e Ballkanit Perëndimor.