“Maskat”godasin ditën, me kapele e maskë anti-Covid grabisin karburantin në Durrës
Një karburant u grabit mëngjesin e kësaj të diele (6 qershor) në Fllakë të Durrësit. Autorët ishin të maskuar dhe duke kërcënuar menaxherin arritën të marrin një sasi parash e të largohen.
Maskat dolën në aksion ditën për diell në Durrës. Një karburant u grabit në zonën e Fllakës rreth orës 09:00 të mëngjesit.
Sipas të dhënave të para ishin të paktën tre persona. Ata iu afruan pikës së karburantit me një makinë, ku një qëndroi në gadishmëri dhe dy të tjerët mësynë biznesin.
Të dy mbanin në kokë kapele dhe maska anti-Covid në fytyrë.
Me mjete preresë e sende të tjera të forta kanë kërcënuar menaxherin e pikës së karburantit, të cilit i kanë marrë shumën e parave që ishte grumbulluar gjatë natës.
E gjitha besohet se është filmuar nga kamerat e sigurisë së karburantit, pamjet e të cilave janë në duart e policisë së Durrësit që po punon për identifikimin dhe arrestimin e tyre.
Por kontrollet dhe postblloqet e para të ngritura pas grabitjes nuk dhanë rezultat.
Sipas të dhënave të tre viteve të fundit, çdo ditë në Shqipëri vidhet mesatarisht një biznes ose shtëpi.
Ky aktivitet kriminal ka ruajtur tendencë të lartë edhe gjatë pandemisë.
Ndërkohë në 5 muaj e parë të këtij janë vrarë 30 persona, ku pjesa më e madhe janë atentate mafioze nga vrasës më pagesë.

