Akademia ‘Rrënjët tona’ kërkon njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë

Njohja e vlerave të shqiptarëve ndër shekuj ishin fokusi i diskutimit në promovimin e librave të akademisë "Rrënjët tona."

"Kemi menduar që të promovojmë, të shtyjmë më saktë si promovim shtysë nxitjen e librave, të veprave që kanë lënë njerëzit  të mijëvjeçarit shqiptar," tha Guri.

Ambientalisti Sazan Guri shprehet se në faqet e këtyre botimeve ka një pjesë historie të parë në një këndvështrim tjetër.

"Kërkojmë dhe vazhdojmë të promovojmë ato vlera që janë lënë si në harresë, si përgjysmë, ndonjëherë janë thënë dhe keq të të parëve tanë. Me këtë libër duam të themi atë që Shqipëria ka qenë protoplazma, bërthama e kombeve të tjera," tha Guri.

Për njohjen dhe ruajtjen e këtyre vlerave trashëgimore kërkojnë edhe mbështetjen e qeverisë.

"Kemi dhe qëllimin tonë të rëndësishëm që të bashkëpunojmë me institucionet. Sado e vështirë që të jetë kjo punë, ne  do ta arrijmë. Shpresojmë që ata ta kuptojnë një ditë që ne jemi të të njëjtit mendim."

Akademikët flasin për dokumente, veshje dhe shumë pjesë të së kaluarës që ata kanë arritur të sigurojnë.