“Afërdita Ime’/ Zalli: projekti në ndihmë të personave që vuajnë nga sëmundjet e kancerit
Mjekja Argita Zalli, ka folur rreth projektit “Afërdita Ime”, i cili do të jetë në ndihmë të personave që vuajnë nga sëmundja e kancerit.
Në një lidhje me “Skype” në edicionin Ora News, Zallaj shprehet se ky projekt synon që t’u vijë në ndihmë personave që janë me këtë sëmundje, nëpërmjet informacioneve apo trajnimeve të ndryshme.
“Është një projekt që i përket personave të prekur nga sëmundja e kancerit dhe familjarëve të tyre në këtë projekt ne u japim këshilla, dhe informacioneve, personave të prekur nga kanceri. Të rejat e fundit nga ana mjekësore dhe shkencore. Në 5 vitet e fundit kemi marrë mesazhe ku na kërkojnë informacione.
Duke qenë se kemi pasur që prej kohësh pyetje nga më të ndryshme, u theksua se ka një nevojë informacioni që këta pacientë kanë nevojë për të ditur më tepër. Nisma është marrë së bashku me Bashkinë e Tiranës. Duam të ndryshojmë pak mentalitetin dhe duam të sjellim të gjithë personat e prekur nga sëmundja e kancerit që vuajnë në qetësinë e tyre së bashku, për t’u dhënë mesazhe pozitive, për t’i thënë se së bashku mund të ja dalim.
Ne do të jemi në kontakt me profesionistët, doktorët më të mirë të botës . Ne do jemi çdo muaj online, për të iu përgjigjur pacientëve, familjarëve, për pyetjet që kanë rreth sëmundjes dhe trajtimeve por edhe rreth dietës që është një faktor kryesor që mund të ndihmojë personat të prekur nga kjo sëmundje. Kjo nismë do të përhapet edhe në Kosovë edhe Maqedoni në muajt e ardhshëm. “
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini

