“Masakra e Çoles” vijon në Vlorë

Ekzekutimi stilit mafioz të 42 vjeçarit Shkëlzen Velaj, riktheu në Vlorë hijet e përplasjes së vjetër mes grupeve kriminale në qytetin bregdetar që ndër vite ka prodhuar viktima.

Hakmarrja është pista kryesore e hetimit, kjo e përforcuar nga fakti se viktima është vëllai Ardi Velaj, i mbetur i vrarë në atë që njihet si masakrën e Çoles, ndodhur në 7 Prill të 2015-ës.

Shkëlzen Velaj u vra me të paktën 15 plumba në derën e banesës ku tentoi ti ikte sulmit, por nëna e moshuar që jetonte bashkë me të, nuk arriti ta hapë në kohë derën, sic tregojnë fqinjët.

Krimi ndodhi 10 minuta para mesnates (2 qershor 2021), ku 42 vjeçari po kthehej në shtëpi në lagjen “24 maji”.

Dyshohet se ai ka qene për një kohë në ndjekje nga autorët, ndaj ka lënë makinën dhe ka nxituar drejt shtëpisë.

Në katin e pestë ku banonte ai u sulmua nga afër me një karikator kallashnikovi çka i shkaktoi vdekjen.

Autorët besohet se ishin të paktën 2, ndërsa automatiku dhe makina që dyshohet se u përdorën për vrasjen u gjeten të djegura në fshatin Risili.

Prej aty më pas kanë humbur gjurmët dhe deri më tani u kanë shpëtuar postblloqeve dhe aksioneve të forcave Speciale RENEA që kanë zbarkuar në Vlorë.

Policia tregohet e rezervuar, por burime thonë se banesa e 42 vjecarit ishte e pajisur me kamera sigurie, çka forcon dyshimet se ai trembej për jetën, ndërsa në anën tjetër ato mund të kenë kapur pamje të autorëve.

Banorë të pallatit, familjare por dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni apo kanë pasur lidhje me 42 vjeçarin janë marrë në pyetje në polici në funksion të zbardhjes së vrasjes.

Krahas hakmarrjes, një tjetër pistë e hetimit është ajo e konflikteve për çështje droge, pasi 42 vjeçari në vitin 2019 është arrestuar për trafik droge, dhe për shkak të problemeve me ligjin kishte ndryshuar emrin nga Shkëlzen në Altin Velaj