Në fshatrat e Klosit kanë mbetur vetëm të moshuar, nuk ka më kush punon tokat

Edhe pse zonat rurale janë një potencial qoftë për ekonominë familjare, por edhe për atë vendase fshatrat po boshatisen nga të rinjtë të cilët zgjedhin sot zonat urbane ose emigrimin. Të moshuarit që kanë mbetur në fshat apelojnë që tanimë shteti t’i kthejë sytë nga ta dhe të investojë për rigjallërimin e jetës. Ikjet masive të rinisë kryesisht nga fshati kanë sjellë plakjen e popullsisë në zonat rurale.

Edhe pse në jo në moshën më favorshme, janë më të vjetrit ata që merren me bujqësi.

Banorët e fshatit të Klosit kujtojnë me nostalgji të shkuarën, kur të gjithë bashkë punonin tokat e ndihmonin njëri-tjetrin.

"Nga viti '90 e deri në 2007 kishte gjallëri, ndërsa sot nuk ka mbetur asnjë," thotë banori.

"Ishim së bashku të gjithë, çdo gjë kishte lezet," thotë banorja.

"Nuk ka më, para 10 vitesh bashkoheshim me njëri-tjetrin, gra dhe burra," tha banori.

Tanimë situata ka ndryshuar. Ata shprehen se jo vetëm nuk kanë askënd që t’i ndihmojë, por nuk gjejnë as punëtorë me pagesë.

"S'ka fare, ja siç na shikon jemi," thotë banori.

"Sot nuk ka, as me lekë, as pa lekë," thotë banorja.

"Tani nuk gjen më edhe me lekë," thotë një banore tjetër.

Të vetmuar, por me dëshirën që fshatit t’i rikthehet gjallëria ata hedhin sytë nga shteti.

"Për Zotin nëse ve dorë qeveria fshati ka perspektivat e veta, ka bukurinë e vet," thotë banorja.

Zonat rurale të Dibrës ende vuajnë mungesën e theksuar të infrastrukturës dhe investimeve bazë, çka ka sjellë edhe boshatisjen e fshatit.