Aksidentet me dëme nën 30 mijë lekë mund të zgjidhen me marrëveshje pa polici pas 1 korrikut

Qytetarët e përfshirë në aksidente, nga data 1 korrik mund t’i zgjidhin pa ndihmën e policisë, nëse vlera e dëmeve është nën 30 mijë lekë. Ato do të duhet të bëjnë të gjithë ekspertizën e aksidentit, vlerësimin e dëmeve dhe caktimin e shkaktarit dhe të dëmtuarit e më pas do u drejtohen kompanive të sigurimit për dëmshpërblimin.

Nga data 1 korrik, aksidentet me dëme materiale nën vlerën 30 mijë lekë do të zgjidhen me marrëveshje përmes palëve pa ndërhyrjen e policisë.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi më 31 maj raportin evropian të aksidenteve, një formular që duhet të plotësohet nga palët e aksidentuara.

Drejtoresha e zbatueshmërisë pranë AMF-së, Fatbardha Hebovija, thotë se do të jenë vetë qytetarët e përfshirë që do të bëjnë ekspertizën e aksidentit dhe të caktojnë vlerën e dëmeve.

"Vetë palët do të gjykojnë se nëse vlera e dëmit ësdhtë deri në 30 mijë lekë, në të kundërt nëse e shohin se dëmi është në vlerë të madhe apo nuk bien dakord, kanë të drejtë të thërrasin policinë rrugore e cila do të vijë në vendngjarje dhe do të bëjë konstatimin e shkeljes."

Qëllimi i kësaj skeme, është ulja e kostove për të gjithë drejtuesit e mjeteve si dhe policisë rrugore.

"Dëme që do trajtohen me një dokumentacion të shkurtuar, kemi ulje të kostos dhe janë dëme që do të trajtohen në një afat të shkurtër."

Pas një aksidenti, palët e përfshira, nëse bien dakord do të plotësojnë këtë formular ku ndër të tjera duhet të përcaktojnë shkaktarin dhe të dëmtuarin.

Krahas rrethanave të aksidentit, palët duhet të bëjnë dhe vizatimin skematik të aksidentit duke filluar nga planimetria e rrugëve, sinjalistika dhe lëvizja e makinave.

Pas plotësimit të kërkesave, të gjitha dokumentet do të paraqiten pranë kompanisë së sigurimit brenda 5 ditëve nga ngjarja, dhe brenda 14 ditëve do të shlyhet dëmshpërblimi financiar për dëmin.

Në rast se në një aksident do të ketë persona të dëmtuar, ky raport nuk është në fuqi dhe duhet patjetër të lajmërohet policia.