"Ka gjetur mënyrën turku për t'i larguar njerëzit nga ky vend", dy javë protestë kundër reformës turke në Ulzë
Vijon prej dy javësh protesta kundër vendimit të kompanisë turke që menaxhon Hidrocentralet e Ulzës e Shkopetit për shkurtimin e punonjësve. Të mbështetur nga sindikata, ata kërkojnë zbatimin e kontratave të punës.
Protesta kundër vendimit të kompanisë turke që menaxhon hidrocentralet e Ulzës e Shkopetit për shkurtimin e punonjësve shqiptarë ka hyrë në javën e dytë.
Punonjës, familjarë, banorë të zonës u mblodhën sërish para hyrjes së Hecit të Ulzës për të kërkuar zhbërjen e asaj që e konsiderojnë reformë që i lë pa bukë.
"Ka gjetur mënyrën turku për t'i larguar njerëzit nga ky vend."
Në mbështetje kanë tashmë edhe sindikalistë nga i gjithë vendi të cilët i janë drejtuar me një peticion qeverisë shqiptare dhe përfaqësive të huaja ndërkombëtare ku i vënë në dijeni me situatën.
"Ne kurrë nuk do të tërhiqemi nga kjo betejë, derisa ta fitojmë."
Sindikata denoncon sjelljen e kompanisë turke sipas saj në shkelje të kontratave të punës dhe kërkojnë rikthimin e punonjësve të larguar në punë.
"Të tërhiqet nga reformat e padrejta, të zbatojnë kontratën kolektive."
Punonjësit e HEC-eve dhe anëtarët e konfederatës së sindikatave kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestën deri në grevë urie, nëse kompania turke dhe shteti shqiptar nuk reagojnë përballë situatës.
