Veliaj doli “lakuriq”, dielli nuk mbulohet me shoshë

Një video e publikuar nga Kryebashkiaku Erion Veliaj me fëmijët me rastin e 1 qershorit ka bërë xhiron e rrjetit.

Po pse?

Pikëpyetja e të gjithëve ishte: Si ishte e mundur që në të gjithë sekuencën e videos, në sfondin prapa fëmijëve dhe kryebashkiakut të duket vetëm qielli i pastër dhe kulla e Sahatit, ndërkohë që skela e betonit për kullën 25 katëshe që sa vjen e ngrihet nuk duket fare.

Të gjithë ata që jetojnë në Tiranë dhe kalojnë në qendër e shikojnë e prekin  “Përbindëshin e betonit” të rrethuar me skela e vinça. Ua vret sytë dhe ndjejnë keqardhje si ai monumenti simbol i Tiranës pak nga pak po kthehet në një objekt në miniaturë.

Por në videon e lali Erit me fëmijët kulla e sahatit ka madhështinë e dikurshme ndërsa ndërtesa që çdo ditë rrit shtat është zhdukur.

Eksperimenti?

Edhe gazetarja e Ora News Sonila Musaj me kameramanin e saj u përpoq të realizonte një filmim të tillë.

“Përpiqem ta gjej këndin por është e pamundur të fsheh kullën. Vetëm kryebashkiaku Veliaj dhe stafi i tij ia del” thotë me ironi Musaj në një lidhje direkte me RTV Ora.

Pyetja: Ku shkoi ndërtimi tek sahati dhe pse kryebashkiaku po u hedhë “hi syve” kryeqytetasve po bën xhiron e rrjetit.

Veliaj doli “lakuriq”, dielli nuk mbulohet me shoshë
Ne foto: Sekuence nga videoja e publikuar ne facebook nga Erion Veliaj

Çfarë ka ndodhur?

Tarraca e bashkisë e kthyer në lulishte është shfrytëzuar gjithmonë si ambienti perfekt nga Veliaj për pritje zyrtare të autoriteteve të rëndësishme që vizitojnë Shqipërinë, apo për të promovuar punët e mira të bashkisë.

Nga tarraca, pamja dikur ishte fantastike. Shikon në pëllëmbë të dorës sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” por dhe gjithë Tiranën. Veliaj e shfrytëzonte si një qendër për të treguar punët e mira që kishte bërë me të hyrë në atë bashki.

Sot nëse shikon Tiranën nga tarraca e Veliajt të vrasin sytë betoni, skelat dhe vinçat.

Por në videon e “lali Erit” (siç ka dëshirë ai ta thërrasin fëmijët) me të vegjlit stafi i bashkëpunëtorëve është kujdesur për këndin e filmimit. Nuk duhej të dukej askund “përbindëshi” që po “zhduk” Sahatin.  Vetëm në një sekondë stafi e kishte të pamundur ta fshehë. (shikoni foton poshte)

Veliaj doli “lakuriq”, dielli nuk mbulohet me shoshë
Ne foto: Sekuence nga videoja e publikuar ne facebook nga Erion Veliaj

Veliaj lakuriq

Nëse shikon thuajse të gjitha videot e publikuara nga Veliaj në rrjetet sociale shmangen kullat në ndërtim e sipër që kanë rrethuar sheshin dhe kullën e Sahatit

Por këtij kontrolli të rreptë duket se i ka shpëtuar videoja e transmetuar live në facebook e Veliajt në datën 29 maj 2021. (Videoja poshte) 

Në ceremoninë e celebrimit të Alidës dhe Erionit duket skela e betonit e godinës 25 katëshe ngjitur me kullën e sahatit që sa vjen e ngrihet.

Epo “dielli nuk mbulohet me shoshë”. Veliaj doli lakuriq, si mbreti në përrallën e Hans Kristian Andersen.