Izolohet Darëzeza në Fier, kamioni shemb urën e ndërtuar nga ushtria në 2017
Ura e Darëzezës që ishte kthyer në një rrezik serioz për banorët është shembur.
Kalimi i një kamioni në urën e Darëzezës ka bërë që kjo e fundit të shembet plotësisht, duke lënë të izoluar rreth 600 banorë të fshatit.
Ura u ndërtua në 2017 nga ushtria pasi ura e vjetër u shemb, ndërsa punimet nisën para zgjedhjeve por u ndërprenë pak ditë pas zgjedhjeve, ndërsa ura u la po në të njëjtën gjendje.
Janë rreth 2 mijë banorë të zonës që tanimë janë tërësisht të izoluar me pjesën tjetër.
Vetë ata shprehen të revoltuar për këtë ngjarje të paralajmëruar.
"Buka vjen nga Fieri, tjetra nga Fieri, nga do të kalojmë ne? Është skandali më i madh."
"Na ka izoluar në mënyrën më skandaloze."
Shembja e urës do t’i japë një goditje të madhe turizmit dhe bizneseve të zonës, pasi ishte e vetmja mundësi komunikimi për në bregdet.
"Po bën 5-6 vjet ura e prishur dhe nuk e ndërtuan. Sivjet erdhën dhe bëjnë sikur e ndërtojnë. Lojëra skandaloze."
"Na ka bllokuar në të gjitha drejtimet, lidh gjithë zonën këtej, gjithë bregdetin, gjithë fshatin."
Ndërtimi i urës së re tanimë është emergjencë për banorët e zonës, qoftë për urgjenca shëndetësore, por edhe për furnizimin me ushqime dhe për sezonin turistik që tanimë ka nisur.

