Videot me "mafia e pasarela mode", KLGJ nis procedurën për shkarkimin e kryegjyqtares së Elbasanit

Videot e publikuara në TikTok të kryetares së gjykatës së Elbasanit kanë vënë në lëvizje KLGJ.

Regjistrimet në ambientet e institucionit të drejtësisë, por edhe shfaqja në publik, ku ndër të tjera gjykatësja bënte paradë mode, apo shoqëronte udhëtimin me muzikë ku përmendet mafia dhe armë do ti kushtojnë karrierën Enkeleda Kapedanit.

KLGJ ka vendosur të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar kërkesën e Inspektorit të Drejtësisë për pezullimin nga detyra. Ndërsa tashmë kanë nisur dhe hetimet për rastin.

"Rezulton e provuar se magjistrati Kliton Spahiu, subjekt i hetimit disiplinor me vendimin gjyqësor numër 69 datë 29.10.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për krimet e rënda Tiranë është deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë."

Në mbledhje trupa e Këshillit të Lartë Gjyqësor vendosi dhe shkarkimin nga detyra të tre gjyqtarëve të Apelit të Durrësit Kliton Spahiu, Petrit Ceno dhe Petraq Dhimitri.

"Rezulton se nga magjistrati Kliton Spahiu janë ndërmarrë veprime aktive me anë të përfitimit në mënyrë të drejtpërdrejtë, veprime të cilat janë cilësuar se përmbajnë elementë të veprës penale."

Në relacion kryeinspektori deklaroi se Spahiu ka dhënë dorëheqjen nga detyra, por kjo nuk i ka penguar hetimet.

Tre magjistratët u akuzuan se udhëtuan me paratë e buxhetit drejt Spanjës për të parë ndeshjen e Real Madrit dhe Barcelonës dhe po ashtu u akuzuan se dy prej tyre qëndruan në shtëpinë e një të akuzuari si pjesë e Camorras.