Spitali "Shefqet Ndroqi" i kthehet normalitetit, pacientët e mbetur me Covid transferohen te Infektivi
Spitali "Shefqet Ndroqi" do ti kthehet shërbimit normal si para pandemisë.
Në të do të trajtohen pacientët më sëmundje të mushkërive ndërsa të gjithë urgjencat Covid do të transferohen te spitali Infektiv.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila pas një takimi me stafin e atij spitali tha se të gjitha pavionet Covid do të qëndrojnë në gatishmëri.
"Erdhi momenti për të lajmëruar mbylljen e këtij spitali si spital Covid 2, si spital që trajton pacientët me Covid dhe rikthimin në normalitet, në shërbimet që ofron Spitali Universitar "Shefqet Ndroqi".
Spitali Covid 2 gjithashtu do ti ketë dyert e hapura për të pritur edhe pacientët të cilët kanë shqetësime post-Covid apo edhe për ata që virusi SARS-CoV-2 u ka lënë probleme të rënda shëndetësore.
"Spitali u rikthehet shërbimeve të veta klasike por nga ana tjetër vijon edhe zhvillimin e projekteve të mëdha. Kjo nuk do të thotë që harmonizimi i shërbimeve edhe brenda këtij spitali nuk do të jetë funksional për ato raste të cilët do të kërkojnë një trajtim të specializuar për rastet post-Covid apo Covidit të gjatë".
Më herët Ministria e Shëndetësisë ka mbyllur dhe spitalet Covid 3 dhe 4 si edhe ato rajonale por gjithësesi të gjitha këto struktura do të qëndrojnë në gatishmëri nëse situata pandemike përkeqësohet.
Aktualisht në spitalin Infektiv janë të shtruar rreth 40 pacientë me Covid.

