"Po punojmë vetëm për autobusë, gjysmën e rrogës e bëmë abone" Zëri i atyre që udhëtojnë me autobusë
Ky muaj nisi me mungesë të aboneve të përgjithshme. Çka do të thotë që për udhëtarët të cilët u duhet të marrin dy apo tre linja urbani për të kryer shërbimet e tyre duhet të blejnë abone për secilën linjë.
Si ka qenë?
Deri më 31 maj mund të lëvizje me të gjitha linjat e urbanëve të kryeqytetit vetëm me një abone të përgjithshme që kushtonte 16 mijë lekë
Si është?
Pas 1 qershorit me vendim të këshillit bashkiak të Tiranës është hequr aboneja e përgjithshme dhe janë lënë abonetë e linjës që kushton 12 mijë lekë. Nëse në ditë një qytetar lëviz me të paktën dy linja autobusësh i duhet 24 mijë lekë në muaj. Nëse i duhet të përdorë dhe një linjë tjetër, xhepi i këtij qytetari rëndohet edhe më shumë.
Këto dy ditë në pikat e shpërndarjeve të aboneve kupton zemërimin e qytetarëve të cilët përdorimin e linjave të autobusëve e kanë jetike për jetën e tyre.
Po sa u rëndon xhepat e tyre?
“Si nuk rëndon?! Do marr 3 abone për të lëvizur për tre linja të ndryshme. Ne gjysmën e rrogës e bëjmë abone, 20 mijë lekë marr unë. Ne punë të zezë po bëjmë” thotë një qytetare për mikrofonin e Ora News. Ajo nuk është e vetmja. "Po punojmë për autobusët" thotë një grua tjetër.
Shumë qytetarë të cilët presin në radhë në qendrat ku shiten abonetë shprehin pakënaqësinë dhe indinjatën për këtë vendim.
Vendimi i bashkise
Më 31 maj, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi heqjen nga qarkullimi për tre muaj qershor, korrik dhe gusht të abonesë së përgjithshme, me vlerë 16 mijë lekë të vjetra. Kjo bëhej më arsyetimin se nga 1 qershori, bashkia do të riorganizojë itineraret, frekuencat e lëvizjes dhe kushtet e shërbimit të transportit publik për udhëtarët.
Bashkia e Tiranës në një njoftim sqaronte se: “Për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, si dhe nga monitorimet e inspektorëve në terren, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një periudhë tre mujore për kryerjen e verifikimeve dhe matjeve për riorganizimin e shërbimit të transportit.
Bashkia e Tiranës do t’iu kërkojë operatorëve të transportit publik qytetës rikthimin në kushte të plota të ofrimit të shërbimit, sipas kushteve të kontratës, para pandemisë.
Abonetë e përgjithshme do të hidhen sërish në shitje në muajin shtator, kurse abonetë për linjat e veçanta do të jenë në shitje normalisht, edhe gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, e në vijim“.
Nëse do të udhëtosh me biletë, atëherë vetëm për një rrugë bileta kushton 400 lekë të vjetra. Vajtja e ardhja me autobus kushton 800 lekë. Nëse do të duhet të marrësh më shumë autobusë atëherë llogaritë e xhepit të një qytetari i nxirrni vetë.

