Asnjë gjurmë nga vrasësit e 45-vjeçarit në Tepelenë, u ekzekutua brenda pallatit ku jetonte
Policia po vazhdon ende pa rezultat kërkimet për kapjen e autorëve të vrasjes së tregtarit të materialeve të ndërtimit Çajup Selimi në Tepelenë. 45-vjeçari u qëllua me plumb në zemër mbrëmjen e djeshme (1 qershor 2021) në katin e dytë të pallatit ku banon, ndërkohë që njëri prej autorëve e kishte thirrur për të dalë nga banesa. Viktima ishte sulmuar e plagosur edhe më parë në vitin 2018 për shkak të konkurrencës në biznes.
Policia e Gjirokastrës po vazhdon kërkimet në zonën e Telepenës për kapjen e autorëve të vrasjes së tregtarit Çajup Selimi, 45 vjeç, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e të martës, 1 qershor.
Ngjarja e rëndë ndodhi në derën e pallatit ku banonte viktima në lagjen "15 Shtatori".
Forca të shumta të patrullës “Shqiponjat” dhe oficerë të hetimit të krimit ndodhen në Tepelenë për krehjen e zonës ndërsa në të gjitha akset rrugore janë ngritur postblloqe ndërsa forca të shumta policie kanë zbarkuar nē të gjithë qytetin gjatë gjithë natës.
Burimet thonë për Ora News se autorët mund të jenë larguar nga zona pasi kontrolli në një prej pallateve të lagjes ku ndodhi krimi dështoi për ti arrestuar ndërkohë policia ka humbur gjurmët e tyre.
Tregtari, Çajup Selimi, është qëlluar me armë mbrëmjen e djeshme në pallatin ku banonte pasi është thirrur nga një person në katin e dytë dhe një tjetër, i cili e priste në katin e parë.
Mendohet se ka qenë pikërisht ky person që e ka qëlluar viktimën me një plumb në zemër.
Në momentin që është thirrur nga autorët tregtari ka qenë në shtëpi ndërsa policia thotë se viktima mund ta ketë njohur personin e për rrjedhojë nuk ka nguruar ti përgjigjet duke dalë nga shtëpia.
Gjurmët e gjakut në pallat tregojnë se Selimi është vrarë në sheshpushimin e katit të dytë ndërkohë që 45-vjeçari ka qenë edhe më herët objektiv sulmesh.
Për plagosjen e tij në 12 shtator 2018 është ndaluar Risiano Abedini, 27 vjeç nga Tepelena. Familja e tij mësohet se ka biznes me profil të njëjtë me aktivitetin e Çajup Selimit në tregtimin e materialeve të ndërtimit.
45-vjeçari i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme mësohet se është sulmuar edhe katër herë të tjera.

