Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kërkon shkarkimin e kryegjyqtares së Elbasanit
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) i ka bërë kërkesë Kolegjit të Lartë Gjyqësor për procedimin e gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.
ILD ka kërkuar pezullimin dhe shkarkimin e kryegjyqtares.
Mësohet se KLGJ ka 3 ditë kohë për të shqyrtuar kërkesën, e cila u dërgua pasditen e sotme 1 qershor nga kreu i ILD Artur Metani.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë vuri nën hetim më 31 maj kryegjyqtaren e Elbasanit pas publikimit të disa videove ku ajo shfaqet në shkelje të etikës së godinës së drejtësisë.
Në një profil në rrjetin TikTok, Enkeleda Kapedani, shfaqet duke bërë sfiladë në ambientet e gjykatës, ndërsa në zyrë dëgjonte këngë për mafian.
“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten Enkeleda Kapedani, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”.
E kontaktuar nga Ora News, gjyqtarja Kapedani nuk pranoi të komentojë nisjen e hetimit, por sa i takon videove pretendohej se ia kanë vjedhur dhe publikuar në rrjetet sociale për ta përbaltur.
"Nuk kam profil në aplikacionin TikTok. E gjitha është e inskenuar dhe e qëllimshme për të përbaltur figurën time. Për hetimin e ILD nuk kam asnjë koment”.
