Vrasja e tregtarit në Tepelenë, fqinjët: Dëgjuam një zhurmë, pastaj thirrën "Shpejt, e shpejt e vranë Çajupin"
Policia po vazhdon ende pa rezultat kërkimet për kapjen e autorëve të vrasjes së tregtarit të materialeve të ndërtimit Çajup Selimi në Tepelenë, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së martës në pallatin ku ai jetonte. Fqinjët e biznesmenit thonë se nuk kanë dijeni të ndonjë konfliti të mundshëm, ndërsa shprehen se ai njihej si një person i qetë.
Gjurmët e gjakut të Çajup Selimit i cili u ekzekutua mbrëmjen e së martës (1 qershor) në Tepelenë qëndrojnë ende si dëshmi e krimit që tronditi qytetin.
Familja ka hapur dyert e mortit, ndërsa forca të shumta të policisë ende janë në kërkim të autorëve të vrasjes, që paraprakisht dyshohet të kenë qenë dy persona.
Ngjarja e rëndë ndodhi në pallatin ku banonte viktima në lagjen "15 Shtatori" në sheshpushimin e katit të dytë.
Fqinjët e biznesmenit Selimi shprehen se ata dëgjuan zhurma në momentin e ekzekutimit, ndërsa viktimën e përshkruajnë si një person të qetë e familjarë.
"Dëgjuam një zhurmë dhe menduam se është një komshi në kat të dytë që acarohet ndonjëherë. Ai tha shpejt shpejt se e vranë Çajupin. Erdhi ambulanca dhe e mori. Se qysh, se kush nuk e dimë.Ai banon në kat të tretë dhe është vrarë në kat të dytë ndërsa ngjitej lart. Njeri shumë i mirë, familje e mirë, punonte për bukën e gojës. Familjar, njeri i rregullt. Ka dy vajza, një e ka studente dhe një në gjimnaz".
45-vjeçari është sulmuar edhe të paktën 4 herë të tjera, ndërsa sulmi më i rëndë ka qenë ai i vitit 2018 ku Çajup Selimi u sulmua me leva dhe përfundoi në spital.
