Durrës, trafikonin tritol dhe armatim luftarak, prangosen në flagrancë 3 persona
Këto pamje tregojnë momentin e arrestimit të tre personave në tentativë për të trafikuar eksplozivë, armë dhe municione.
Në pranga u vunë Barim Flora, person me precedent penalë, Ardjan Gjoka dhe Jemin Flora, që të tre banues në Tiranë.
Ata u kapën në një makinë pranë mbikalimit të Shkozetit në Durrës, në kuadër të operacionit BINOMI.
Policia thotë se ata ishin nën hetim prej gati një muaji për përfshirje në trafikimin e lëndëve eksplozive dhe municioneve, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.

Në makinën ku udhëtonin tre burrat policia sekuestroi • 1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4; • 2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol; 3 granata dore luftarake.
Ndërsa më herët në kuadër të hetimit, është sekuestruar një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatorë dhe një sasi municioni luftarak.
Eksplozivët dhe municionet do të shiteshin në tregun e zi të armëve që më pas kryesisht përdoren për ngjarje të rënda kriminale.
Policia ka dyshime për një rrjet të mirëfillte trafiku, ndaj duke u treguar e rezervuar në detaje thotë po punohet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë!
Vetëm në harkun e një jave janë shënuar dy raste të tritolvënies në Lushnje dhe Shijak ku u sulmua banesa e kryetarit degës së të Partisë Demokratike.
Veçse për të dërguar mesazhe paralajmëruese, sulmet me bombë janë përdorur nga grupet kriminale edhe për eliminimin e kundërshtarëve.
