Mjeku Prifti nuk merr "ok" nga Apeli, do të vazhdojë të jetë i pezulluar nga detyra
Gjykata e Apelit të Posaçëm lë në fuqi vendimin për pezullimin nga detyra për tre muaj ndaj mjekut Edvin Prifti.
Gjatë seancës nëpërmjet avokatit të tij Prifti i ka kërkuar gjykatës nëse ky vendim nuk i lejon ushtrimin e detyrës vetëm në shtet apo edhe në privat, por gjykata është shprehur se përgjigjen do e marrë në arsyetimin e vendimit.
Ndërkohë mjeku kardiolog Edvin Prifti, i cili po hetohet nga SPAK për akuzën e korrupsionit, fitoi pak ditë më parë në Apel të drejtën për të dhënë mësim në universitetin publik të Mjekësisë.
Ndërsa e drejta për të ushtruar profesionin e mjekut është lënë ende e pezulluar deri në përfundim të hetimeve.
Në shkurt të këtij viti ish shefi i kardiologjisë në QSUT ra në pranga pas një hetimi të Prokurorisë së Posaçme SPAK, për lirimet nga burgjet.
Kardiokirurgu Prifti akuzohet se i mori ryshfet kryesekretares së Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë Euro dhe 16 milionë lekë cash në zyrë e shtëpi.
Prifti po hetohet në gjëndje të lirë por Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK i është drejtuar Gjykatës së Lartë për të bërë rekurs vendimin e datës 2 Mars 2021 të Gjykatës të Apelit.
Vetë mjeku Edvin Prifti ka pretenduar se pasuria e tij buron nga pronat e trashëguara nga e shoqja, nga paga e tij në punën si mjek por edhe nga seminaret dhe aktivitetet ndërkombëtare ku ka marrë pjesë.

