Kërkimi për "arin e zi" në Fier irriton banorët, po u nxjerrin eshtrat e familjarëve nga varret

Kërkimet për naftë në fshatin Visokë të Fierit, kanë çuar në përplasje mes banorëve dhe kompanive.

Sipas banorëve kompanitë naftënxjerrëse kanë dëmtuar varrezat e fshatit, çka për ta është e papranueshme.

"Ku e gjejnë fuqinë këta të prishin varrezat?"

Madje, ata shprehen se këto kompani kanë fshehur skeletet të cilët i kanë nxjerrë në sipërfaqe.

"U irrituam shumë. Vajtën te një pus afër varrezave dhe donin të kryenin punime me një traktor nga ata të mëdhenjtë. Traktoristi ndërhyri te pjesa e varrezave. Nxorën dhe eshtra varresh."

Për kërkimet e naftës banorët nuk ishin vënë në dije, ndërsa tanimë kërkojnë që firmat të marrin përgjegjësitë e tyre nëse duan të kërkojnë naftë në fshat.

"Firmat private kërkojnë të marrin prodhimin por nuk kërkojnë të mirëmbajnë rrugët, kanalizimet dhe problemet e tjera që u takon atyre."

Në këtë konflikt ka ndërhyrë edhe Bashkia e Fierit, e cila po përpiqet që të sqarojë të gjithë situatën ndërsa punimet janë ndërprerë deri në një moment të dytë.