Incidenti në 1 Qershor, bie suvaja te Pediatria në Tiranë, plagosen dy fëmijë
1 qershori, festa e fëmijëve është shënuar me një incident në Pediatrinë e Tiranës që për pak ka rrezikuar edhe jetë.
Siç mund ta shikoni edhe në fotot e publikuara nga deputetja e zgjedhur e PD-së, Ina Zhupa, një pjesë e suvasë është shkëputur nga tavani në njërën nga dhomat e repartit të Pneunomologjisë.
"Kushtet e spitaleve skandaloze të shëndetësisë rrezikuan edhe jetën e fëmijëve. Tani në spitalin e pediatrisë sapo u plagos një fëmijë nga rënia e tavanit" denoncoi Zhupa në facebook.
Zhupa kërkon hetim për ngjarjen dhe vënien para drejtësisë të atyre që rrezikojnë jetën e fëmijëve, pikërisht në vendin ku duhet të shpëtojnë jetën dhe shëndetin.
Ora News mëson se suvaja u ka rënë sipër dy djemve të moshës pediatrike që ishin të shtruar në këtë dhomë, të cilët kanë marrë dëmtime të lehta.
Menjëherë personeli mjekësor ka ekzaminuar dy pacientët e vegjël që ndodheshin në dhomë dhe gjendja e tyre aktualisht paraqitet e mirë, pa dëmtime.
Një grup ekspertësh nga Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse e QSUNT, po kryen një vlerësim teknik për shkaqet e incidentit për marrjen e masave të menjëhershme.
Godina e Pediatrisë ka qenë e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe i janë bërë riparime.

