Tiranë/ Bie suvaja në Pediatri, lëndohen 2 nga fëmijët e shtruar në pavion

Shqetësimeve të prindërve për shëndetin e fëmijëve që kanë të shtruar në pavionin e pneumologjisë në pediatrinë e QSUT u janë shtuar dhe kushtet që ofron spitali. Dy prej tyre rrezikuan të dëmtoheshin nga rënia e suvasë në ambientin ku qëndronin për të marrë ndihmën e mjekut

Këto pamje tregojnë qartë  shkëputjen e kësaj pjese që ka rënë pikërisht në krevatin ku qëndronin dy vogëlushët, duke e mbuluar tërësisht atë.  Pjesa e suvasë ka prekur anën ku qëndron fëmija por fatmirësisht pa i  shkaktuar atij probleme serioze. Inertet kanë rënë edhe në shtratin ngjitur duke lënduar lehtë edhe fëmijën tjetër që ishte i shtruar.

Spitali njofton se menjëherë pas ngjarjes mjekët kanë bërë analizat dhe vizitat e nevojshme për ta dhe fatmirësisht pacientët e vegjël janë në gjendje të mirë shëndetësore.

 Mësohet se të lënduarit ishin dy djem të moshave pediatrike dhe pranë tyre ndodheshin dhe prindërit e tyre.

Spitali njofton se janë duke u kryer të gjitha vlerësimet teknike për shkaqet e incidentit dhe marrja e masave të menjëhershme.

Fillimisht ka qenë deputetja e zgjedhur e PD Ina Zhupa e cila ka denoncuar rastin, duke e konsideruar skandal gjendjen spitaleve.