Nga nesër masat e reja anticovid, policia ju vëzhgon

Policia do të dalë në terren për të monitoruar mbarëvajtjen e masave anticovid të cilat pas 1 qershorit do të jenë më të lehtësuara.

Kështu pas 1 qershorit ora policore do të shtyhet me një orë, pra nis në orën 23:00 ndërsa muzika do të jetë e lejuar deri në orën 22:00

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj, komunikim me mediet tha se për konstatimet që do të kenë strukturat policore në shkelje të këtyre akteve, ndaj kundërvajtësve do të aplikohen masat administrative.

Duke filluar nga data 1 qershor 2021 ora policore sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve do të jetë nga ora 23:00 deri 06:00, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Të gjithë shtetasit që për arsye punë do të lëvizin përtej orës 23:00, të jenë të pajisur me leje nga e-Albania ose të kenë dokumentin që vërteton se është punonjës në një nga shërbimet kritike.

Gjithashtu duke filluar nga data 1 qershor 2021, orari i ndalimit të muzikës në çdo mjedis është përcaktuar ora 22:00.