Kukësi me avazin e vjetër, nis eksodi i lojtarëve
Është bërë tashmë zakon për Kukësin që në fund të çdo sezoni, nis çmontimin e skuadrës me lojtarët që largohen për shkak të kontratave të shkurtra, paraqitjeve jo të mira, shitjeve apo përplasjeve me drejtuesit.
Vetëm sot klubi verilindor njoftoi dy largime nga skuadra dhe i pari ishte Patric Eze, sulmuesi që për pak fitoi Këpucën e Artë në Superiore me 15 gola të shënuar.
Të paktën nga largimi i tij, Kukësi arkëton 150 mijë euro teksa sulmuesi nënshkroi për një sezon (plus një tjetër me opsion rinovimi) me klubin nga Katari, Al Ahli me të cilët do të përfitojë plot 500 mijë euro pagë.
“Patrick Friday Eze nuk është më pjesë e Kukësit. Klubi i Kukësit ka arritur marrëveshje me klubin nga Katari, Al Ahli për shitjen e futbollistit nigerian. Eze u bashkua me Kukësin në verën e vitit të shkuar dhe arriti të shënonte një gol në Europa League dhe 15 gola në Kategorinë Superiore. Klubi i uron suksese Patrick Ezes në aventurën e tij të re. Faleminderit Eze!, lexohet në njoftimin e klubit verilindor”, ishte njoftimi i klubit për largimin zyrtar të lojtarit.
Eze nuk ishte I vetmi sot pasi e ndoqi edhe Mehdi Hetemaj, mbrojtësi që nuk arriti të shkëlqente me Kukësin, me klubin që ndërpreu kontratën që e lidhte me lojtarin.
“Mehdi Hetemaj nuk eshte me pjese e Kukesit. Klubi dhe futbollisti kane arritur marreveshjen per shkeputjen e kontrates dhe nga ky moment, mbrojtesi eshte lene i lire nga klubi yne. Futboll Klub Kukesi dhe futbollisti kishin edhe nje vit kontrate por duke pare hapesirat e pakta, u mendua huazimi i tij megjithate futbollisti e refuzoi dhe kerkoi te rikthehej ne Austri. Klubi e mirekupton dhe e falenderon mbrojtesin Hetemaj per kontributin e dhene dhe i uron suksese ne karrieren e tij, lexohet në komunikatën e Kukësit”, njoftoi klubi verilindor.
