Hetimi për origjinën e Covid-19, Kina kërkon të hetohet edhe SHBA-ja
Presidenti amerikan, Bajden, u ka lënë tre muaj kohë shërbimeve amerikane të zbulimit që të japin një përgjigje përfundimtare mbi origjinën e Covid-19. Dy tezat kryesore janë se virusi u përhap te njeriu nga kontakti me kafshët, ndërsa teza tjetër, se doli nga një laborator kinez.
Shërbimet informative amerikane do të kenë 90 ditë kohë për të vërtetuar origjinën e Covid-19 dhe për t'i dhënë fund teorive të ndryshme që qarkullojnë mbi përhapjen e sëmundjes.
Presidenti Xho Bajden doli të mërkurën me një deklaratë duke pranuar se agjencitë vendëse nuk po gjejnë konsensus nëse koronavirusi u përhap nga kafshët te njeriu apo është produkt i një laboratori kinez në qytetin e Uhanit.
Zv. zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se Kina nuk është treguar transparente, sa duhet.
"E kemi thënë me zë të lartë edhe më parë. Ne nuk kemi pasur akses te laboratori. Kina nuk ka bashkëpunuar plotësisht me hetuesit shkencorë që të qartësoheshim për këtë virus që ka marrë mbi 3 milionë jetë në gjithë globin."
Teoria se virusi ka dalë aksidentalisht nga Instituti i Virologjisë i Uhanit u rikthye në fundjavë nga mediet amerikane, bazuar në raportime të reja se një pjesë e stafit kishte shfaqur simptoma të virusit që në vjeshtën e vitit 2019.
Edhe këshilltari për pandeminë i presidentit amerikan, Entoni Fauçi, tha këtë muaj se ka dyshime që kovidi-19 është krijuar artificialisht.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se shanset që virusi t'i ketë fillesat në laborator, janë mjaft të pakta, ndërsa Pekini vazhdon ta mohojë teorinë, duke fajësuar SHBA-në se virusi mund të jetë krijuar në laboratorët e saj.
"Nëse Amerika do transparencë të plotë, atëherë, siç bëri Kina, duhet të ftojë ekspertët e OBSH-së që ta vizitojnë dhe të hetojnë, dhe t'u hapë sa më shpejt bazën ushtarake të Fort Detrikut si edhe gjithë laboratorët biologjikë që ka nëpër botë," deklaroi Zhao Lixhian, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.


