NATO nuk fton Ukrainën në samitin e qershorit, Ukraina e zhgënjyer kritikon NATO-n

Ukraina është shprehur e zhgënjyer nga një vendim i NATO-s,  për të mos e ftuar në samitin e qershorit, ku do të diskutohet për aleancën transatlantike dhe kërcënimet e kohës, si Rusia.

Ukraina thotë se anëtarësimi në Nato i është premtuar prej 13 vitesh.

Ukraina ka kritikuar NATO-n se nuk po e dëgjon apelin për t'u anëtarësuar në aleancë si mënyra e vetme për t'i bërë ballë agresionit rus.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, deklaroi nga Kievi në një takim me sekretaren e përgjithshme të OSBE-së,  se vendi i tij duhej të ishte ftuar në samitin që Nato-ja ka planifikuar të mbajë më 14 qershor në Bruksel.

Ministri i Punve të Jashtme, ukrainas Dmytro Kuleba thotë: "Sinqerisht nuk e kuptojmë se si NATO-ja mban një samit të mbyllur në kohë veprimesh agresive nga Rusia në rajonin e Detit të Zi dhe ndaj anëtarëve të aleancës. Mund të ishte gjetur një format ku të përfshihej edhe Ukraina."

Ukrainës iu premtua në vitin 2008 se një ditë do të bëhej pjesë e Traktatit të Atlantikut Verior, por edhe pas 13 vitesh organizata e udhëhequr nga SHBA-ja thotë se vendi duhet së pari të kryejë reforma antikorrupsion, dhe nga ana tjetër, duhen shmangur tensionet me Moskën që mund të sillte integrimi i Ukrainës dhe i Gjeorgjisë.

"Kur në Ukrainë na qortojnë se jemi të avashtë me disa reforma, atëherë çfarë mund të themi për adoptimin dhe zbatimin e vendimeve të Aleancës, që i mbulon pluhuri prej 13 vitesh. Është e rëndësishme për Ukrainën që politika e 'dyerve të hapura' të mos kthehet në politikë të 'premtimeve të zbrazëta'."

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, i kërkoi këtë muaj Nato-s të rritë prezencën në rajon.

Thirrja erdhi pasi Rusia mobilizoi këtë vit mbi 100 mijë trupa në kufi me Ukrainën në kuadër të konfliktit të rindezur mes forcave ukrainase dhe atyre separatiste pro ruse në lindje të vendit, që ka lënë mbi 13 mijë të vrarë nga viti 2014.