Ndryshon trendi i turizmit, nisin prenotimet jashtë, pas Dubait shqiptarët preferojnë Budva, "po harrojnë" Vlorën

Turizmi është një ndër pikat e forta të ekonomisë të vendit tonë, pasi Shqipëria ka relieve të pasura malore edhe bregdetare, por turoperatorët vendas konstatojnë se shqiptarët po "harrojnë" vendin e tyre dhe po dynden drejt Dubait, por dhe Budvës e Malit të Zi.

Por nuk ndodh e kundërta, të paktë janë turistët e huaj që po vizitojnë Shqipërinë.

Drejtuesi i Agjencisë së Udhëtimeve Erjon Mane, thotë për emisionin Ditë e Re me moderatorët Arjon Muça dhe Arjola Shehu, se turizmi brenda territorit të Shqipërisë ka pësuar rënie. 


"Kemi djegie të turizmit në Përmet, djegie të turizmit në Tiranë, djegie të turizmit kulturor në Berat, Shkodër. Flasim për turizmin in-coming, pra ato që janë grupe të organizuara kulturore,që zgjasin 8 me 10 ditë. Turizmi ka filluar me prenotime jashtë trevave shqiptare siç janë Mali i Zi dhe Dubai. Por kjo nuk është një gjë e mirë, në një moment pandemie, le të jemi realist.

Në Dubai nëse ti bën një llogaritje nisen rreth 200 veta në ditë. Mesatarisht 1,200 euro për person, pra jemi diku te 250 mijë euro të dala në ditë nga territori shqiptar.Nga Shqipëria drejt Emirateve. Dhe kjo ka zgjatur deri tani 45 ditë. 9 milion euro mesatarisht kanë dalë nga Shqipëria drejt turizmit jashtë.

Nuk është e mirë në kohën e pandemisë të dalin 9 milionë euro brenda për brenda territorit nga Shqipëria.

Kemi dy, tre javë që shqiptarët po dynden rreth Budvës, por kjo është rrezik për ne, sepse ne e kemi bregdetin shumë të mirë. Ne i bëjmë yzmetin trevave shqiptare për te dalë jashtë, ndërkohë harrojmë Vlorën. Shumë pak turistë vijnë nga Budva në Shqipëri. Ndërsa ne jemi furnitorët kryesorë për Budvën dhe Malin e Zi për periudhën prill, maj, qershor."

Drejtuesit e Agjencive të Udhëtimeve thonë se nëse nuk hapet kufiri me Greqinë, Saranda do të ketë një sezon të vështirë veror.

Arben Çipa, Kryetari i Shoqatës së Turizmit në Sarandë, thotë se kufiri me Korfuzin është pika më e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Sarandë dhe nëse nuk hapet do të ketë pasoja.

“ Kufiri i Korfuzit është alfa dhe omega për Sarandën , për aq sa porti i Vlorës apo porti i Sarandës akoma është inekzistent. Uroj që pandemia të bëjë dorëheqje sa më shpejt dhe të ndryshojë realiteti.

Saranda është destinacion turistik brenda vendit tonë, i cili gjithmonë promovon gjënë e re. Më pas vjen Vlora dhe Gjirokastra. Saranda ka filluar të investojë mbi projektin Blu, pra kemi kuptuar vitet e fundit se duhet shfrytëzuar deti."