Shkel të drejtat e njeriut, Gjykata e Hagës kërkon nga kompania "Shell" të ulë ndotjen mjedisore
Gjykata Ndërkombëtare e Drejësisë në Hagë ka marrë këtë javë një vendim duke thënë se ndotja e ambjentit nga kompania e naftës "Shell" është një shkelje e të drejtave të njeriut. Sipas medieve gjermane ky vendim mund t’i hap rrugën padive të tjera nga grupet ambjentaliste për kompani të tjera të hidrokarbureve.
Gjykata e Hagës ka dhënë një vendim historik këtë javë sipas shumë ambjentalistëve anekënd Europës. Ajo ka vendosur që kompania gjigante e naftës "Shell" dhe furnizuesit e saj duhet të ulin emetimet e karbonit në natyrë në masën 45% deri në vitin 2030.
Gjykata ka vlerësuar se ndotja e ambjentit është një shkelje e të drejtave të njeriut, ndaj ka marrë parasysh marrëveshjen klimatike të Parisit për të dhënë këtë vendim.
Sipas analistëve, kjo çëshje është gurthemel dhe precedent i rëndësishëm, sepse për herë të parë është një kompani - dhe jo një shtet – që duhet t'i përmbahet synimeve të Marrëveshjes së Parisit.
Gjykata vlerësoi se angazhimi aktual i "Shell"-it për të ulur intensitetin e emetimeve të karbonit me 20% deri në 2030 ishte i pamjaftueshëm. Paditësit kishin argumentuar se ulja në këtë sasi nuk e përmbushte synimin e Marrëveshjes së Parisit për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius deri në fund të shekullit.
Sipas medieve gjermane ky vendim mund t’i hap rrugën padive nga grupet ambjentaliste për kompani të tjera të hidrokarbureve.
Kanë qenë gjashtë organizata të të drejtave të njeriut dhe 17,000 qytetarë që kanë nënshkruar për të paditur gjigantin botëror të karburanteve.
Gjykata ra dakord që emetimet e grupit "Shell" kishin një ndikim në ndryshimet klimatike, që është më i madh se ai i shumicës së vendeve individuale.
Në gjykim thuhej se "Shell-i" ka krijuar rreziqe për individët dhe kufizon të drejtat e tyre njerëzore.
Sipas zëdhënësve të kompanisë Shell, proceset gjyqësore nuk do të ndihmojnë në zbutjen e ndryshimeve të klimës.
"Ajo që do ta përshpejtojë tranzicionin energjitik është politika efektive, investimi në teknologji dhe ndryshimi i sjelljes së klientit," tha një zëdhënës i "Shell-it".
Më herët ka qenë Gjykata Kushtetuese Gjermane që kërkoi nga qeveria gjermane që të rrisë objektivat e saj për zvogëlimin e emetimeve të karbonit deri në vitin 2030.

