Amazon hyn në Hollywood, blen për 8.45 miliard $ një nga studiot më të mëdha kinematografike
Kompania teknologjike amerikane “Amazon“ ka njoftuar blerjen prej 8.45 miliard dollarësh të studios kinematografike "MGM“ në Hollywood. Për ekspertët ky është një bast i fortë, por që do të shtojë më tej konkurencën në sektorin e filmave dhe serialeve online, krahas Netflix-it, Disney-t, HBO-së dhe Apple-it.
Tregu i filmave dhe serialeve online në internet po rritet nga dita në ditë. Këtë të mërkurë kompania Amazon njoftoi procedurat e blerjes së një prej studiove më të mëdha kinematografike në botë “MGM”.
Tashmë krahas Netflix dhe Disney +, do të jetë edhe Amazon që do të rrisë konkurencën në këtë sektor.
Blerja 8.45 miliard dollarëshe i ka siguruar kompanisë Amazon edhe një prej bibliotekave më të mëdha në botë për filmat dhe shfaqjet televizive.
Deri më tani, MGM, ose Metro Goldëyn Mayer, ka zotëruar edhe kanalin kabllor “Epix” që sillte për publikun seriale të njohur si "Fargo", "Vikings" dhe "Shark Tank".
Mike Hopkins, nënkryetar Prime Video dhe Amazon Studios, tha në një njoftim për shtyp se biblioteka e MGM është e pasur me mundësi.
"Vlera e vërtetë financiare pas kësaj marrëveshjeje është thesari i pasurisë intelektuale në katalogun e gjerë që ne planifikojmë ta zhvillojmë së bashku me ekipin e talentuar të MGM," tha ai.
Në këtë sektor konkurenca është mjaft e fortë, ndërsa Prime Video e Amazon do të përballet me rivalë si Netflix, Disney +, HBO Max dhe Apple. Të gjitha këto kompani i kanë rritur shpenzimet e tyre për të siguruar shtrirje sa më të madh në tregun ndërkombëtar.
Sipas shumë analistëve, pandemia e Koronavirusit ndihmoi edhe më tej që qytetarët të drejtoheshin kah internet për të parë sa më shumë filma dhe seriale.
Për të qënë sa më konkurrues, Amazon ka nënshkruar gjithashtu për të sjellë afër tifozëve të sportit më shumë ndeshje futbolli.
Më herët ka qenë një marrëveshje e rëndësishme 43 miliard dollarëshe e kompanisë AT&T për të filluar biznesin e saj me WarnerMedia dhe për ta kombinuar me kanalin Discovery, e cilësuar si një nga më ambiciozet ende në epokën e transmetimit online.
Sipas ekspertëve, blerja e studios “MGM” në Hollywood nga Amazon mund të shkaktojë interes të mëtejshëm në Silicon Valley, sepse është është e para që një kompani e madhe e teknologjisë hyn në Hollywood.

