Mbyllen gërmimet në Kizhevak të Serbisë, zhvarrosen eshtrat e të paktën 9 personave

Është përmbyllur në Kizhevak të Serbisë procesi i gërmimeve dhe zhvarrosjes së eshtrave të viktimave të luftës së viteve 1998-99.

Qeveria e Kosovës njoftoi se gjatë dy fazave, nga nëntor-dhjetori i vitit të kaluar deri më sot, u krye vlerësim i plotë i terrenit.

“Në bazë të ekzaminimit antropologjik u konstatua se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë, prej të cilëve dy u identifikuan përmes metodës së ADN-së, në fazën e parë të procesit të zhvarrimit,” theksoi një deklaratë e qeverisë.

Në gërmimet në Kizhevak morën pjesë ekspertë mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, ekspertë të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertë të EULEX-it, të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq si edhe zyrtarë të Serbisë.

Ekzekutivi kosovar thotë se mbetet e përkushtuar për ta vazhduar punën me prioritet për zbulimin e fatit dhe vendndodhjes të të pagjeturve.

Lufta në Kosovë zhduku rreth 6,500 persona, nga të cilët rreth 70 për qind u zhvarrosën prej varreve masive në Kosovë e Serbi.

Mbi 1,600 veta nuk janë gjetur pas luftës që la mbi 13,500 të vrarë, nga të cilët afro 11 mijë shqiptarë, 2,200 serbë dhe etni të tjera.