Shehaj tha se PD-së i duhet një lider i pakorruptuar, Kadilli e thotë pa modesti: E ka pasur fjalën për mua
Në deklaratën e tij para gazetarëve kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Agron Shehaj tha se kësaj partie i duhet një lider i pakorruptuar dhe një reformim i thellë.
Një nga rivalët e tij në këtë garë, Fatbardh Kadilli, fare pa modesti thotë se gjen veten në këtë përcaktim të Shehaj.
Kadilli: Ndoshta e ka pas fjalën për mua. Jam krejt ndryshe nga Lulzim Basha, nga të gjithë kandidatët, nuk kam asnjë njollë në historinë time politike 30 vjeçare, nuk kam asnjë moment kompromentimi politik dhe nuk mund të kompromentohem politikisht sepse nuk kam asnjë interes që më bën të kapshëm nga interesat e pushtetit apo të një sektori të caktuar. Besoj që e ka pas fjalën për mua.
Në intervistën e mbrëmjes për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, ai thotë se nuk ka asnjë frikë për fatin e tij politik në këtë partie edhe nëse nuk arrin të zgjidhet kryetar i PD.
Kadilli: Nuk kam asnjë lloj ndjeshmërie nga çdo presion që mund të vijë në numra të vegjël apo numra të mëdhenj. Unë vij nga një familje shumë e persekutuar dhe jam mësuar në jetë që sapo bie poshtë duhet të shohësh sesi do të ngrihesh përnjëherë. Kjo ishte ajo që më dha kurajon që me 27 prill sapo doli deklarimi i KQZ që nuk ndryshojnë as mandatet jo më rezultati fola për një projekt të ti.Këtë kurajo e kam timen edhe sikur të kem përballë gjithë botën. Nuk më ka deformuar dot komunizmi, isha 24-25 vjeç, jam krenar që kam dalë i shëndetshëm nga komunizmi. Jam i gatshëm sot për kontrollin e pastërtisë së figurës dhe i ftoj edhe kandidatët e tjerë, që të katërt që jemi të marrim pastërtinë e figurës dhe t'u themi shqiptarëve se cilët jemi. Unë do t'ja dal dhe ky rrugëtim do të mbyllet vetëm ditën që do të largoj Edi Ramën nga pushteti.
I pyetur nëse ka marrë mbështetje brenda PD, ai u shpreh:
Kadilli: Shumë personalitete të partisë, autoritete morale të partisë, më kanë shfaqur mbështetjen, ndonjë edhe publikisht si zoti Mustafai apo tjetër, njerëz që nuk janë brenda axhendës politike, shumë anëtarë të Kryesisë.
Kadilli mbetet optimist për një garë të ndershme pasi siç thotë ai nëse nuk je i ndershëm në garën brenda partisë nuk mund të jesh i ndershëm me garën jashtë partisë.
Kadilli: Nëse nuk je transparent në opozitë nuk mund të jesh transparent në pushtet, nëse nuk je i ndershëm në garën brenda partisë nuk mund të jesh i ndershëm me garën jashtë partisë, nëse përdor influencat e tua në media për të bllokuar dhe bërë presion kur je në opozitë ke për ta bërë shumë më keq kur të jesh në pushtet. Këto sëmundje nuk i kam pasur, nuk i kam dhe nuk kam për ti pasur kurrë. Unë premtoj që në jetën politike siç kam htyrë i pastër deri në fund do të jem i pastër pa u kompromentuar as financiarisht, as politikisht, as moralisht dhe nuk do të shkel kurrë parimet e mia.

