Lëvizja Vetëvendosje publikon videon: Numëruesi shënon fletët, fotot ia çon numrit me emrin e Çuçit

Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë, ka publikuar pamje të reja filmike nga një qendër votimi në Gjirokastër, që sipas tyre kanë të bëjnë me vjedhjen e votës në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një video që kanë ndarë në rrjetet sociale shihet teksa komisionerët vendosin shenja mbi fletët e votimit.

Ndërkohë Vetëvendosje shkruan se pamjet e reja i përkasin datës 26 prill, ku në KZAZ, nr 80, ku një numërues shënon fletët gjatë numërimit dhe më pas fotot ia çon në telefon në numrin që mban emrin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, që ishte kandidat në këtë qytet.

‘Tjetër provë e re filmike e krimit elektoral. Në qytetin e Gjirokastrës, të hënën e datës 26 prill 2021, në KZAZ me numër 80, herët në mëngjes në ora 5:09, është kryer një tjetër krim elektoral i evidentuar nga ekipi i aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes pamjeve zyrtare filmike të KQZ-së.

Në këto pamje dallohet qartë konsumimi i veprës penale nga një numërues që vendos shenja në fletët e votimit gjatë procesit të numërimit, me miratimin e dhënë në heshtje nga numëruesit e tjerë, që duket se janë në bashkëpunim me të.

Pas konsumimit të veprës penale, numëruesi kontakton me një numër telefoni ku është i shënuar emri i Ministrit të Brendshëm, Blendi Çuçi, që ishte edhe kandidat i Partisë Socialiste në Qarkun Gjirokastër. Ju kujtojmë se deri me sot nuk kemi asnjë informim zyrtar për nisjen e hetimeve nga organet e drejtësisë për këto raste flagrante të veprave penale .Ju ftojmë të ndiqni pamjet e plota filmike në vijim:’