A do ta pranojë Basha debatin publik? Kadilli: Po t'ja kisha kërkuar Edi Ramës do ta bëja vetë


Fatbardh Kadilli, një nga kandidatët për kryetar të PD-së ka kërkuar një debat publik me zotin Basha për të përballur platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e kësaj partie.

Vetë zoti Basha ia kishte kërkuar një gjë të tillë kundërshtarit politik Edi Rama në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

I ftuar në Rtv Ora përballë gazetares, Beti Njuma, Kadilli nuk di të thotë nëse Basha do ti përgjigjet pozitivisht por thotë se po të ishte ai do ta kishte pranuar.

Kadilli: Kjo është vlera që dua ti kthej kësaj partie. Këtu është vërtetësia që më ndan me zë zotërinë mua. Vërtetësia ime është që po t'ja kisha kërkuar Edi Ramës do ta bëja vetë. Kur ja kërkoj sot, jep dorëheqjen dhe ik nga gara, është një nga premtimet e para që kam bërë kur kam shpallur platformën time. Ai që do të jetë kryetar partie ka vetëm një shans për tu përballur me kundërshtarin: Humbi, duhet të jetë i shkarkuar automatikisht, nuk është më kryetar në momentin që del rezultati i KQZ-së dhe ke humbur.

Nuk ka nevojë të mblidhen dhe të thonë jep dorëheqje, mos jep dorëheqje, reflekto, mos reflekto. Nuk ka nevojë të mblidhen forumet. Automatikisht nuk je më kryetar në momentin që ke humbur. Këtë vërtetësi e kam armën time kryesore. E dyta që është arma ime, është arma morale. Çdo gjë që kam thënë është e vërtetë absolute për çdo demokrat.

Nuk flas për një grup kundër një grupi. Fatbardh Kadilli i drejtohet çdo anëtari të PD: Je ti kryetar i kësaj partie, bëj partinë tënde kudo që je. Partia do të jetë e fortë aty ku je ti, jo aty ku është kryetari i partisë në qendër. Kjo është partia që do të bëj unë dhe do t'ja dal se kam gjithë vendosmërinë e duhur.

Në 13 qershor, anëtarët e PD do të zgjedhin kryetarin e ri mes Lulzim Bashës, Fatbardh Kadillit, Agron Shehaj dhe Edit Harxhit.