Hetimet për vrasjen e Delon Troqes, autorët lëvizën dy herë në vendin e ngjarjes, i ati mohon konfliktet në polici
Policia e Vlorës ka marrë në pyetje babain e 38-vjeçarit, Delon Troqe, të vrarë me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e 21 majit ndërkohë që po verifikohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë. Bazuar në pamjet filmike rezulton se autorët e kanë mbajtur viktimën në vëzhgim për një kohë të gjatë pasi makina e tyre është fiksuar të paktën dy herë në vendin e krimit.
Autorët e vrasjes së 38-vjeçarit, Delon Troqe, e kanë mbajtur në vëzhgim paraprakisht objektivin e tyre para realizimit të atentatit mbrëmjen e 21 majit në Vlorë.
Pamjet filmike të sekuestruara tregojnë makinën e autorëve që shfaqet dy herë afër zonës së krimit, derisa viktima del nga ambjentet e brendshme të servisit që kishe në pronësi në zonën ku ndodhi krimi.
Pa kaluar dy metër nga dera e biznesit të tij, Delon Troqe është qëlluar nga dy armë të ndryshme plot 16 herë.
Dhjetë plumba kanë prekur të riun në trup duke e lënë të vdekur në vend.
Pas krimit policia filloi hetimet ende pa rezultat ndërkohë që në pyetje është marë babai i viktimës, Fiqiri Troqe, i cili ka treguar se djali i tij nuk ka pasur konflikte, veç një mosmarrëveshje me disa persona dy muaj më parë në Vlorë.
Ky konflikt me sende të forta, sipas babait të Delon Troqes ka ndodhur për motive banale.
Personat e përfshirë në këtë episode mësohet se u shoqëruan nga policia e Vlorës pas vrasjes së ndodhur katër ditë më parë dhe pas administrimit të dëshmive dhe verifikimit të vendodhjes në kohën kur ndodhi atentati janë lënë sërisht të lirë.
Prej datës 9 mars, Delon Troqe ishte kthyer në Vlorë nga Spanja ku udhëtonte shpesh kohët e fundit.
Gjatë 2 muajve të fundit viktima i ishte përkushtuar servisit të tij, në zonën e stadiumit “Flamurtari” ndërkohë siç shihet në pamjet filmike, gjatë muajve të verës punonte me gomone duke transportuar turistë të ndryshëm në bregun e Karaburunit dhe ishullin e Sazanit.
Vrasja e Delon Troqes, është e dyta brenda një periudhe 10 ditore në Vlorë.
Para tij, në zonën e “Fundit të Kalldrëmit”, u ekzekutua me 15 plumba, Bledar Birçaj, i cili prej 13 shkurtit 2021 ishte kthyer nga Spanja.
Seria e këtyre vrasjeve, e kanë kthyer Vlorën në një nga qytetet problematike, ndërkohë që policia dhe prokuroria janë treguar të pafuqishme për të identifikuar dhe arrestuar personat përgjegjës.

