BOOM - Bashkia e Tiranës lë në baltë e pa investime rrugët e periferisë

Rrugët e prishura në shumë lagje të Tiranës nuk kanë fund, bashkë me ankesat e qytetarëve që duket se bien në vesh të shurdhët.

Në redaksinë e emisionit investigativ "BOOM" në RTV Ora vijnë plot ankesa për rrugët e pa shtruara, të cilat përbëjnë një problem të madh për qytetarët.

"BOOM" realizoi një vëzhgim në tri prej tyre, përkatësisht në rrugët “Pal Hasi”, “Xhemal Sheh Abazi” dhe “Shefqet Kuka”.

Në të trija këto, banorët janë të ndryshëm, por hallet e njëjta; rrugë të degraduara dhe mungesë investimesh nga bashkia e Tiranës.

Në rrugën “Pal Hasi” banorët ankohen se fëmijët nuk kalojnë dot në rrugë dhe se kjo situatë u prish punë edhe bizneseve.

Banorët: Zhytemi në ujë, nuk kalojnë fëmijët këtu. Na ka prish pune rruga për bizneset tona, se nuk vijnë njerëzit vetëm për shkak të rrugës. Ka 30 vite kështu.

Në rrugën “Xhemal Sheh Abazi” banorët shprehen se nuk i hapin dot dritaret nga pluhuri dhe makinat u bëhen me baltë.

Banorët: Në dimër bëhet baltë, në verë pluhur, nuk hapim dot dritaret. Ecim anash rrugës, se kalojnë dhe makinat e na bëjnë pis.

Ndërsa në rrugën “Shefqet Kuka” banorët ankohen për mungesë investimesh.

Banorët: Ka mbi 10 vite kështu kjo punë. Prishem makinat këtu. E hapen rrugën gjasmë për kanalizimet dhe shihe si e kanë lënë.