Misteri i 123 mijë paundëve të sekuestruara në Durrës, 21 vjeçari i arrestuar: Të japë llogari pronari, unë jam shofer
21 vjeçari Olsi Sefolli, i arrestuar më 19 maj 2021, në Portin e Durrësit, pasi në furgonin që ai drejtonte u gjetën 123 mijë paund dhe 200 sterlina, në dëshminë e tij ka mohuar të ketë pasur dijeni për sasinë e parave që u zbuluan në furgonin që drejtonte.
Para policisë mësohet se ai ka deklaruar që është vetëm transportues i një kompanie mallrash.
“Të japë llogari pronari që ka tre furgona. Unë mbaj përgjegjësi për pakot dhe gjithçka të dukshme në furgon. Nuk e dija çfarë ishtë fshehur. Unë paguhem me rrugë, nuk kam rrogë fikse," ka deklaruar ai.
Edhe babai i 21 vjeçarit, Shkëlqim Sefolli ka mohuar që djali i tij është pjesë e skenave ilegale, apo trafiqeve të ndryshme.
"Çuni merrte furgonin këtu, dilte ne Itali, merrte tjetrin e sillte këtej dhe kaq. Ai thjesht ka ndërruar furgonat dhe asnjë gjë tjetër. Nuk ka ditur, nuk ka pasur asnjë lloj dijenie," thotë babai i 21 vjeçarit.
Pas ndalimit të furgonit në portin e Durrësit burimet policore u shprehën se bëhej fjalë për gjetjen e 1 milion paundve. Por pas numërimit të sasisë ekspertët kanë bërë të ditur se u sekuestruan 123 mijë paundë e 200 sterlina. Familjarët kanë bërë të ditur se Olsi Sefolli, e ka marrë furgonin në Toronto të Italisë.

